• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Hoti: Binomi Kurti-Osmani u bë problem për sigurinë evropiane

Hoti: Binomi Kurti-Osmani u bë problem për sigurinë evropiane

Prishtinë, 2 korrik 2023 (MIA) - Ish kryeministri i Kosovës, tani deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës e cila është në opozitë, Avdullah Hoti thotë se binomi të cilin e përbëjnë kryeministri aktual, Albin Kurti dhe presidentja e shtetit, Vjosa Osmani u shndërrua në problem për sigurinë evropiane dhe perëndimore, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. 

Në një shkrim në faqen e tij në Fejsbuk, Hoti thotë se izolimi dhe sanksionet të cilat i vendosën ndërkombëtarët ndaj Kosovës për shkak të mosveprimit të autoriteteve për qetësimin e situatës në veri të vendit, i banuar me shumicë të popullatës serbe, janë shkatërruese për Kosovën dhe se pa mbështetjen e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian është i pamundur çfarëdo lloj progresi. 

"Edhe me mbështetjen e plotë nga ShBA dhe vendet kryesore të BE-së, Kosova ka vështirësi në integrimin euro-atlantik për shkak të kundërshtimeve të vendeve të caktuara. Pa këtë mbështetje, është i pamundur çfarëdo progresi. Ndërkaq, me sanksione dhe izolim që pason, as status quo-në ekzistuese nuk mund ta ruajmë", shkroi Hoti.

Sipas tij, nga viti 2008, kur u shpall pavarësia e shtetit, Kosova ka qenë një vend që ka promovuar normalitet e paqe, ndërkaq, tani nën udhëheqësinë e, siç e quan, "binomit fatkeq të Kosovës, Kurti-Osmani", Kosova po kthehet në problem të sigurisë evropiane dhe perëndimore. 

"Me të gjitha sfidat që ka pasur, Kosova nga viti 2008 ka qenë një vend që ka promovuar normalitet e paqe, një shtet i ri demokratik që ka kërkuar mbështetjen e partnerëve për integrim euro-atkantik. Ndërkaq, tani është e qartë për të gjithë se me politikën e jashtme jo-perëndimore të binomit fatkeq të Kosovës, Kurti-Osmani, Kosova po kthehet në problem të sigurisë evropiane dhe perëndimore. Ta kemi të qartë: Kosova nuk mund të qeveriset nga një kryeministër dhe presidente që i sjellin Kosovës sanksione nga aleatët në vend të integrimit euro-atlantik", shkroi Hoti. fc/

Fotografia: Fejsbuk
 

 

QËNDRONI TË LIDHUR