• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Holanda në gjyq për pjesëmarrje në krimet e luftës në Gaza

Holanda në gjyq për pjesëmarrje në krimet e luftës në Gaza

Hagë, 30 nëntor 2023 (MIA) - Zyrtarët shtetërorë holandezë do të dalin para Gjykatës së Qarkut në Hagë të hënën me akuzat për bashkëpunim në krimet e luftës në Gaza të ngritura nga organizatat e të drejtave të njeriut për eksportimin e pjesëve për avionët luftarakë F35 në Izrael, kumtoi gjykata.

Organizatat, duke përfshirë degët holandeze të Amnesti Interneshënall dhe Oksfam, pretendojnë se "Holanda ka kontribuar në shkeljet e përhapura dhe serioze të ligjit humanitar nga Izraeli në Gaza" duke lejuar dërgimin e pjesëve rezervë për avionët luftarakë izraelitë ndërkohë që konflikti është në vazhdim.

Ministrja holandeze e mbrojtjes nuk pranoi të komentojë mbi rastin dhe në fillim të këtij muaji gazeta holandeze NRC raportoi pretendime nga burime qeveritare se Holanda kishte lejuar dërgimin e pjesëve për avionët luftarakë izraelitë, pavarësisht paralajmërimeve nga këshilltarët ligjorë se mund të ishte një shkelje e ligjit ndërkombëtar, sepse avionët janë përdorur në bombardimin e Rripit të Gazës.

Disa zyrtarë të Kombeve të Bashkuara, duke përfshirë Komisarin e Lartë të KB-së për të Drejtat e Njeriut, kanë paralajmëruar se sulmet ajrore izraelite në Gaza mund të përbëjnë krime lufte, duke pasur parasysh numrin e lartë të viktimave civile.

Izraeli, megjithatë, mohon akuzat për krime lufte, duke thënë se forcat e tij ushtarake  i binden ligjit ndërkombëtar. Pas sulmit të Hamasit në fillim të tetorit, Izraeli bombardoi Rripin e Gazës për shtatë javë përpara se të fillonte armëpushimi aktual. Sipas zyrtarëve palestinezë të shëndetësisë, më shumë se 15,000 banorë të Gazës u vranë gjatë asaj periudhe. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR