• e martë, 02 korrik 2024

Hiqet dinari serb në Kosovë, të panjohura rreth 'periudhës së tranzicionit'

Hiqet dinari serb në Kosovë, të panjohura rreth 'periudhës së tranzicionit'

Prishtinë, 1 shkurt 2024 (MIA) – Autoritetet në Kosovë konfirmuan se nga sot, 1 shkurt, hyn në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila parashikon që euro të jetë monedha e vetme për pagesa me para në dorë në vend, por la të hapur mundësinë e një periudhe kalimtare për zgjidhjen e shqetësimeve të bashkësisë etnike serbe në Kosovë, e cila vazhdon të përdorë dinarin serb.

Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për shfuqizimin e dinarit, i mbështetur nga Qeveria e Kosovës, shkaktoi shqetësime dhe reagime në mesin e bashkësisë etnike serbe në vend dhe në Beogradin zyrtar, por edhe në mesin e bashkësisë ndërkombëtare, e cila kryesisht kërkon të sigurojë një periudhë më të gjatë tranzicioni për zbatimin e tij, si dhe arritjen e një zgjidhjeje për këtë problem në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

BE: Të sigurohet 'periudhë tranzicioni mjaft të gjatë' për të shfuqizuar pagesën në dinarë

Bashkimi Evropian kërkoi sot nga autoritetet në Prishtinë një “periudhë mjaft të gjatë kalimtare” për zbatimin e Rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), sepse, sipas Brukselit, ekziston rreziku i ndërlikimit të jetës së qytetarëve të bashkësive, veçanërisht të asaj serbe, për shkak të “mungesës së konsultimeve të mëparshme”.

BE përsëriti kërkesën për të zgjidhur këtë çështje në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli midis Prishtinës dhe Beogradit.

Zyra e BE-së në Prishtinë tha se periudha e shkurtër kalimtare për zbatimin e Rregullores, "e kombinuar me mungesën e informacionit dhe zgjidhjeve praktike për të gjitha bashkësitë e prekura, rrezikon të komplikojë seriozisht jetën e tyre".

"Bashkimi Evropian merr parasysh Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila pritet të hyjë në fuqi sot. Rregullorja synon të rrisë transparencën e qarkullimeve financiare, të sigurojë stabilitet financiar dhe të luftojë pastrimin e parave dhe falsifikimin. BE vëren se Rregullorja do të ndikojë gjithashtu në mbështetjen financiare që serbët e Kosovës marrin nga Serbia. BE është e shqetësuar për pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe bashkësve të tjera në Kosovë për shkak të mungesës së konsultimeve të mëparshme, veçanërisht për ndikimin e tij në shkolla dhe spitale, duke marrë parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë kohë, thuhet në reagimin e BE-së.

Bashkimi, gjithashtu "i kërkon Kosovës të sigurojë një periudhë tranzicioni mjaft të gjatë dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja".

Bislimi: Qëllimi ynë nuk është ndëshkimi, do të investojmë në informimin për vendimin

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kryenegociatori në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, dje riafirmoi mbështetjen e Qeverisë për Rregulloren e re të BQK-së, pavarësisht presionit ndërkombëtar për të shtyrë ekzekutimin e vendimit. Megjithatë, Bislimi bëri të ditur se në vend të masave ndëshkuese, Qeveria në “periudhën e tranzicionit” do të investojë në informim dhe edukim.

Ai, siç lajmëroi korrespodenti i MIA-s nga Prishtina, paralajmëroi se do të sigurohet "tranzicion i lehtë", mirëpo nuk tregoi se sa do të zgjasë afati kalimtar.

"Zbatimi i rregullores nuk do të thotë ndalim i transferimeve nga Serbia dhe nuk do të thotë dënime të mundshme financiare për mbajtjen e monedhës së një vendi tjetër. Megjithatë, nga 1 shkurti, nuk do të lejohen të importohen para nëse importuesi nuk është i licencuar nga BQK-ja", tha Bislimi.

Ai gjithashtu tha se do të ketë fushatë për të informuar qytetarët dhe se ai shpreson në bisedimet midis bankave qendrore të Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një mekanizëm transparent për transferimin e mjeteve.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës është e vendosur që “zbatimi i ligjshmërisë në çdo pjesë të territorit të Kosovës është i pakushtëzuar dhe pa kompromis.”

“Në të njëjtën kohë, Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar të sigurojë që qytetarët të përshtaten sa më shpejt, lehtë dhe pa dëmtime në periudha të mundshme kalimtare”, tha Bislimi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës tha se duhet të hapen kanalet e komunikimit ndërmjet Bankës Qendrore të Kosovës dhe asaj të Serbisë për të lehtësuar këtë proces.

"Në rregullimin e këtyre modaliteteve ka shembuj nga e kaluara ku, për shembull, Qeveria e Republikës së Kosovës i ka dërguar mbështetje Komunës së Preshevës (në jug të Serbisë), dhe më pas Banka Qendrore e Serbisë automatikisht i ka konvertuar eurot në dinarë dhe i ka transferuar në llogarinë e Komunës së Preshevës. Ashtu siç ka shembuj të panumërt kur Republika e Serbisë dërgon remitanca në euro në vendet fqinje. Sa më shpejt të arrihet kjo marrëveshje, aq më i madh është kontributi i këtyre dy bankave qendrore në eliminimin e shqetësimeve të mundshme", tha Bislimi.

Kuint: Çështja të zgjidhet në kuadër të dialogut

Ambasadorët e vendeve të Grupit të KUINT-it, anëtarë të të cilit janë Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia, i kërkuan Kosovës të shtyjë zbatimin e rregullores.

Në një deklaratë të përbashkët në fillim të kësaj jave, ambasadorët e Kuintit thanë se pezullimi i vendimit duhet të bëhet për të "lejuar një periudhë të mjaftueshme tranzicioni dhe komunikim publik të qartë dhe efektiv".

"Për këtë çështje duhet të diskutohet më tej në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian," thuhet në kumtesën.

Ambasadorët e KUINT-it thonë se rregullorja e BQK-së për transaksionet me para në dorë synon të zvogëlojë falsifikimin dhe të ruajë stabilitetin financiar, por gjithashtu "ngre shqetësime për ndikimin, veçanërisht në bashkësinë me shumicë serbe".

"Jemi të shqetësuar për ndikimin e rregullores, veçanërisht në shkollat dhe spitale, për të cilat për momentin nuk duket i zbatueshëm asnjë proces alternativ. Rregullorja, do të ketë gjithashtu ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës dërrmuese të serbëve të Kosovës që marrin pagesa/ndihmë financiare nga Serbia", thuhet në kumtesën e ambasadorëve të KUINT-it.

Paraprakisht, Uashingtoni, përmes Ambasadës së tij në Prishtinë, i kërkoi Kosovës të rishqyrtojë vendimin për hyrjen në fuqi të rregullores, e cila do të parandalonte serbët që jetojnë në Kosovë të përdorin dinarin për transaksione me para në dorë.

Osmani: Edhe kjo sfidë duhet të tejkalohet me mbështetjen e aleatëve të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se për të zbatuar plotësisht këtë vendim, Kosovës i duhet mbështetja e aleatëve.

“Meqë, siç e dini, për çdo çështje që ka të bëjë me veriun e Kosovës, me zgjerimin e sovranitetit dhe sigurisë së shtetit, sa herë që kemi aleatë pranë nesh, këto sfida tejkalohen dhe mbrojtja e Kushtetutës sonë realizohet në tërësi”, tha Osmani.

Ajo shtoi se pret një marrëveshje për mënyrën e zbatimit të rregullores.

"Neni 11 i Kushtetutës kërkon që Kosova të ketë vetëm një monedhë në qarkullim dhe përdorim. Është për të ardhur keq që nuk është zbatuar deri tani, siç e kërkon Kushtetuta... Po diskutohen disa opsione që, nga njëra anë, do të respektonin nenin 11 të Kushtetutës, por nga ana tjetër, do të linin pak kohë për informimin e qytetarëve dhe transferimin e tyre, të themi, në llogari të reja, në mënyrë që të mund të zbatohet pa asnjë problem dhe me mbështetjen e plotë të vendeve aleate", tha Osmani.

Guvernatori i QKB, Ismaili: Qëllimi ynë nuk është që t'ua vështirësojmë jetën qytetarëve

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Ahmet Ismaili tha se institucioni që ai drejton është i gatshëm të bashkëpunojë me bankën simotër në Serbi për të lehtësuar zbatimin e vendimit.

"Ne jemi të gatshëm si Bankë Qendrore për të ndihmuar, nëse është e nevojshme, në aspektin teknik dhe marrëveshjet e tjera të nevojshme me Bankën Qendrore të Serbisë. Kështu, ne si Bankë Qendrore mund të shohim mundësitë për të lehtësuar këtë proces, sepse në fund të ditës ata janë qytetarë të Kosovës, jeta e të cilëve nuk duhet të pengohet nga rregullimi i sistemit financiar të vendit, por vetëm jeta e tyre duhet të përmirësohet", tha dje Ismaili.

 

Ai theksoi se përdorimi i monedhave të ndryshme nga euro është i paligjshëm, duke nënvizuar se rregullorja nuk është kundër asnjë bashkësie, por në funksion të mbrojtjes së sistemit bankar nga kartëmonedhat e falsifikuara, nga aktivitetet që financojnë terrorizmin dhe nga pastrimi i parave.

Përdorimi i gjerë i monedhës serbe në veri të Kosovës

Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, vazhdon ta përdorë dinarin për të paguar pensionet, përfitimet sociale dhe pagat për institucionet paralele që ka në Kosovë.

Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me popullsi shumicë serbe, qytetarët përdorin dinarin serb për pagesë, ndërsa ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë marrin pagën e tyre në dinarë.

Pensionet paguhen gjithashtu me dinarë, sipas sistemit serb, si dhe shtesa për fëmijë dhe shtesa sociale. Në objektet tregtare në Kosovë, në zonat ku jetojnë serbët, dinari përdoret krahas euros.

Zëvendëskryeministri Bislimi tha se gati 27.000 pensionistë serbë gjithashtu marrin pensione nga Kosova në llogaritë e tyre bankare në euro dhe se ata mund të marrin pensione nga Serbia në të njëjtat llogari në euro.

Ai shtoi se mijëra serbë të tjerë paguhen nga autoritetet e Kosovës në euro në llogaritë e tyre bankare në Kosovë dhe ata që nuk kanë llogari bankare mund t'i hapin ato për të marrë paratë në euro në bankat komerciale në veri.

Bislimi theksoi se bashkësia ndërkombëtare nuk e vë në dyshim ligjshmërinë e rregullores, duke bërë të ditur në takimet e fundit të ambasadorëve të KUINT-it me kryeministrin Albin Kurti të premten e kaluar, si dhe vizitën e të dërguarit të posaçëm të BE-së Mirosllav Llajçak në Prishtinë të martën.

Rregullorja që imponon pagesa me para në dorë në Kosovë vetëm në euro ka nxitur shqetësimet e Beogradit dhe përfaqësuesve politikë të serbëve në Kosovë, të cilët vlerësojnë se ky vendim kërcënon mbijetesën e bashkësisë serbe. ls/

 

QËNDRONI TË LIDHUR