• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Hiqen kontrollet në kufijtë e brendshëm ajror dhe detar të Bullgarisë dhe Rumanisë me zonën Shengen

Hiqen kontrollet në kufijtë e brendshëm ajror dhe detar të Bullgarisë dhe Rumanisë me zonën Shengen

Bruksel, 31 mars 2024 (MIA) - Sot hyn në fuqi vendimi i Këshillit të BE-së nga dhjetori i vitit të kaluar për të hequr kontrollet kufitare të aeroporteve dhe porteve gjatë udhëtimeve midis Bullgarisë dhe Rumanisë dhe anëtarëve të tjerë të zonës Shengen.

Krahas hapjes ajrore dhe detare të zonës Shengen për Bullgarinë dhe Rumaninë, nga sot në të dy vendet zbatohen rregullat e Shengenit, përfshirë edhe dhënien e vizave Shengen. Kontrollet në pikat kufitare tokësore të Bullgarisë dhe Rumanisë me vendet e zonës Shengen mbeten ende në fuqi.

Duke uruar, siç tha ajo, pranimin e Bullgarisë dhe Rumanisë në zonën Shengen, kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, vlerësoi se sot është një ditë e rëndësishme për BE-në.

"E mirëpres heqjen e kontrolleve të kufirit të brendshëm ajror dhe detar. Ky është një sukses i madh për të dy vendet dhe një moment historik për zonën Shengen - zona më e madhe e lëvizjes së lirë në botë. Së bashku, ne po ndërtojmë një Evropë më të fortë dhe më të bashkuar për të gjithë qytetarët tanë", tha Fon der Lajen.

Siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, sipas KE-së, që nga dhjetori i kaluar, të dyja vendet kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që nga sot të sigurojnë zbatimin pa ndërprerë të rregullave të Shengenit.

Për këtë qëllim, në fillim të këtij muaji u ra dakord për Kornizat për bashkëpunim të Komisionit Evropian me Bullgarinë dhe Rumaninë në menaxhimin e kufijve dhe migracionit, të cilat pasuan me projektet pilot me të dyja vendet për procedura më të shpejta për azil dhe deportim të filluara në mars të vitit 2023.

"Me këto Korniza Bashkëpunimi, Rumania dhe Bullgaria do të kontribuojnë më tej në forcimin e bashkëpunimit për kontrollin kufitar dhe migracionin, si dhe në përpjekjet e përbashkëta evropiane për të forcuar sigurinë e kufijve të jashtëm të BE-së dhe për t'u marrë me sfidat e migracionit", thekson KE.

Fokusi i bashkëpunimit në këto Korniza është në mbështetjen e masave të menaxhimit të kufirit, azilit, sistemit të kthimit të emigrantëve dhe bashkëpunimit të zgjeruar policor në zonën Shengen. Në kuadër të aktiviteteve për mbështetjen e zbatimit të Kornizës, Komisioni Evropian shpalli mbështetje financiare prej 85 milionë euro nga Instrumenti për Menaxhimin e Kufirit dhe Viza për periudhën 2021-2027, me qëllim të përmirësimit të kapaciteteve kombëtare të dy vendeve në kufijtë e jashtëm të BE-së.

Komisioni rikujton gjithashtu se një iniciativë rajonale për bashkëpunim policor është krijuar ndërmjet vendeve anëtare të BE-së nëpër të cilat kalojnë rrugët e migrimit ballkanik dhe mesdhetar lindor - Bullgaria, Rumania, Austria, Greqia, Hungaria dhe Sllovakia.

"Kjo do të bëjë të mundur zgjidhjen e përbashkët dhe të qëndrueshme të sfidave të tjera, përfshirë ato që lidhen me krimin ndërkufitar. Bullgaria dhe Rumania kanë demonstruar vazhdimisht një nivel të lartë përkushtimi në sigurimin e mbrojtjes adekuate të kufijve të jashtëm të BE-së dhe kanë vepruar vazhdimisht si kontribues kryesorë në sigurinë e brendshme të zonës Shengen", shton Komisioni Evropian.

Duke kujtuar se vendimi për heqjen e kontrolleve dhe kufijve të brendshëm tokësorë të Bullgarisë dhe Rumanisë me vendet e tjera të zonës Shengen duhet të miratohet nga Këshilli i BE-së, KE thekson se do të vazhdojë të japë të gjithë mbështetjen e nevojshme me qëllim që ajo të miratohet gjatë këtij viti. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR