• e enjte, 26 dhjetor 2024

Himara u bë me kryebashkiake grua, me mbështetje edhe të këshilltarëve nga opozita, nuk munguan tensionet

Himara u bë me kryebashkiake grua, me mbështetje edhe të këshilltarëve nga opozita, nuk munguan tensionet

Tiranë, 29 mars 2024 (MIA) - Këshilli bashkiak i Himarës ka zgjedhur sot Blerina Balën kryetare të bashkisë Himarë, në një mbledhje të dytë pas tensioneve që nuk mundësuan zhvillimin normal të mbledhjes paraditen e sotme, e cila ishte në garë bashkë me nënkryetarin tjetër të bashkisë, Pervin Gjikuria.

Siç njofton ATSH, kryetarja në detyrë e Bashkisë së Himarës, Blerina Bala u zgjodh me 15 vota pro dhe vetëm 4 kundër. Ky rezultat domethënës tregoi qartë shumicën legjitime të Këshillit bashkiak.

Pas tërheqjes nga gara të Pervin Gjikuria, Këshilli vendosi që bashkia Himarë të drejtohet nga Blerina Bala.
Këshilli bashkiak u mblodh më herët paraditen e sotme për të zgjedhur kryetarin e ri të komanduar pasi dy kryetarët Fredi Beleri dhe Jorgo Goro ndodhen në burg, i pari i dënuar për krime zgjedhore dhe i dyti nën hetim nga SPAK.
 
Mbledhja e planifikuar nisi me përplasje mes forcave të policisë dhe simpatizantëve të Fredi Belerit duke sjellë shtyrjen e mbledhjes.

Mbledhja nuk arriti të zhvillohej pasi banorë që mbështesin Fredi Belerin kundërshtuan prezencën e prefektit të Vlorës, Vangjel Tavos.

Policia ndërhyri për të parandaluar përplasjen deri dhe fizike nga mbështetësit e Belerit. Tavo u largua nga mjediset e bashkisë së bashku me drejtuesin politik të PS-së në qarkun Vlorë, Blendi Klosi dhe kryetarin e qarkut Ervis Moçka.

Këshilli i Bashkisë së Himarës përbëhet nga 21 anëtarë, 9 nga PS, 7 PD ndërsa 5 anëtarë të tjerë nga parti të vogla. Sipas ligjit, me përfundimin para kohe të mandatit të kryetarit të bashkisë, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, funksionet e tij i kryen zv. kryetari i bashkisë. Në rastet kur ka më shumë se një zëvendëskryetar bashkie, këshilli përkatës, me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, cakton një nga zëvendëskryetarët të kryejë funksionet e kryetarit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.

Ndërkaq, për të shkuar drejt zgjedhjeve të parakohshme në Himarë pritet vendimi përfundimtar i Apelit të Posaçëm për kryebashkiakun e zgjedhur Fredi Beleri. mb/

Foto: faqja e Komunës së Himarës

QËNDRONI TË LIDHUR