• e enjte, 26 dhjetor 2024

Hill: Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit ndikon dukshëm në investimet amerikane në Serbi

Hill: Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit ndikon dukshëm në investimet amerikane në Serbi
Beograd, 2 mars 2023 (MIA) - Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Kristofer Hill, tha sot se dialogu ndërmjet  Prishtinës dhe Beogradit është një nga çështjet që ndikon në investimet e mëtutjeshme të kompanive amerikane në Serbi, sepse paqja dhe stabiliteti janë më së shumti të rëndësishme për ta.
 
“Ajo për të cilën kompanitë amerikane janë më të interesuara kur investojnë kudo është çështja e paqes dhe stabilitetit. Kjo është arsyeja pse unë mendoj se kompanitë do të ndjekin çështjet si dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, sepse çështje të tilla mund të ndihmojnë shumë në tërheqjen e më shumë investimeve”, tha Hilli për agjencinë Beta.

Ai shtoi se "paqja dhe stabiliteti e bëjnë Serbinë destinacion aq të vlefshëm për investime".

Hill në intervistë theksoi se kompanitë amerikane që kryesisht punojnë në Serbi në sektorin e teknologjisë janë të kënaqura me klimën, por edhe me të rinjtë që punojnë për to.

 
“Kompanitë amerikane janë të impresionuara nga Serbia, nga puna e të rinjve. Para së gjithash, sepse kompanitë amerikane janë në sektorin e teknologjisë ku të rinjtë punojnë më shpesh”, tha ai, duke shtuar se ka shumë mundësi për investime të reja.
 
Kristofer Hill theksoi se është në kontakt të vazhdueshëm me kompani nga SHBA-ja të cilat punojnë në Serbi dhe se nuk ka dëgjuar kurrfarë komente negative. fc/
 
 

QËNDRONI TË LIDHUR