• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Hezbollahu: Do të ndalojmë ta bombardojmë Izraelin nëse armata izraelite i ndërpret sulmet

Hezbollahu: Do të ndalojmë ta bombardojmë Izraelin nëse armata izraelite i ndërpret sulmet

 Bejrut, 15 tetor 2024 (MIA)  - Nënkryetari i grupit militant libanez Hezbollah, Naim Kasemi, sot deklaroi se grupi do të ndalojë bombardimin e Izraelit me kusht që armata izraelite t'i ndërpresë plotësisht sulmet.

Kasemi  tha se nëse Izraeli nuk i jep fund agresionit, Hezbollahu do të kryejë sulme në të gjithë Izraelin në përgjigje të sulmeve izraelite në Liban, duke theksuar se qëllimi i grupit është të çlirojë territoret e pushtuara nga Izraeli dhe të mbështesë lëvizjet palestineze që luftojnë armatën izraelite në Rripin e Gazës.

 "Ne kemi dëshmuar aftësinë tonë për t'i sulmuar Tel Avivin dhe Haifën dhe nëse armiku nuk ndalet, radiusi i shkatërrimit të sulmeve tona do të zgjerohet, duke detyruar jo qindra mijëra, por më shumë se dy milionë banorë të fshihen në strehimore", theksoi  Kasemi.

 Ai tha se Hezbollahu ka miratuar një strategji të re luftarake për, siç theksoi, që Izraeli t'i "ndjejë vuajtjet", raportoi "Gaediani".

 Kasemi theksoi se Hezbollahu e konsideron Izraelin një "agresor" që paraqet një kërcënim real për rajonin dhe se Izraeli dëshiron t'i "kontrollojë të gjithë myslimanët". Ai në një fjalim televiziv tha se Izraeli dëshiron t'i "zgjerojë pushtimin e tij dhe se Palestina nuk mjafton për Izraelin", raporton Al Xhezira.

 "Ai (Izraeli) gjithashtu dëshiron të kontrollojë të gjithë territorin e shteteve arabe dhe të gjithë myslimanët", tha Kasemi. Sipas tij, Izraeli po kryen një "politikë të masakërs" dhe dëshiron t'i frikësojë njerëzit me "krime brutale" dhe ka mbështetjen e plotë të qeverisë amerikane.

 Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR