• e enjte, 26 dhjetor 2024

Hasani: Shqipëria në Këshillin për të drejta të njeriut, do të angazhohet për një botë, në të cilin çdo njeri mund të jetojë me dinjitet dhe respekt

Hasani: Shqipëria në Këshillin për të drejta të njeriut, do të angazhohet për një botë, në të cilin çdo njeri mund të jetojë me dinjitet dhe respekt

Tiranë, 26 shkurt 2024 (MIA) - Shqipëria gjatë mandatit të saj 3-vjeçar (2024 – 2027) në Këshillin e të drejtave të njeriut (KDNJ), do të angazhohet ndaj parimeve të përjetshme të të drejtave dhe dinjitetit të njeriut e për ndërtimin e një bote, ku çdo person mund të realizojë potencialin e tij të plotë dhe të jetojë me dinjitet dhe respekt deklaroi sot, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, gjatë fjalimit në Segmentin e nivelit të lartë të KDNJ, që po mbahet në Gjenevë.

Hasani theksoi se një nga prioritetet e Shqipërisë si anëtare e KDNJ, është gjithashtu vënia para përgjegjësisë e autorëve të krimeve të rënda, luftimi i pandëshkueshmërisë dhe parandalimi i shkeljeve të mëtejshme të të drejtave themelore.

“Ne mbështesim plotësisht mandatin e Komisionit Hetimor dhe si anëtar i KDNJ-së do të punojmë fort, së bashku me partnerët drejt arritjes së objektivit për të vënë para drejtësisë autorët për krimet kundër njerëzimit në Ukrainë. Më 28 shkurt do të presim në Tiranë, Samitin Ukrainë-Evropa Juglindore, për të mbështetur Ukrainën dhe për të denoncuar këtë agresion të paligjshëm dhe krimet që ka sjellë ai”, u shpreh Hasani.

Kryediplomati shqiptar deklaroi se Shqipëria po përgatitet për ciklin e katërt të Rishqyrtimit periodik universal, i cili sipas tij, është një mundësi për prezantuar veprimet e ndërmarra për të përmirësuar situatën e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe të ndajë praktikat më të mira.

“Ne do të punojmë për të mbështetur pjesëmarrjen e aktorëve të shoqërisë civile dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut, veçanërisht të grave, në punën e Këshillit të të drejtave të njeriut dhe në terren. Ky është një prioritet shumë i rëndësishëm për vendin tim”, u shpreh ai.

Është hera e dytë që, brenda një periudhe më pak se 10-vjeçare, Shqipëria bëhet pjesë e këtij organizmi të rëndësishëm të OKB-së që trajton çështje të mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Shqipëria pati mandatin e parë në KDNJ në vitet 2015 – 2017. mb/

Foto: MEPJ

 

QËNDRONI TË LIDHUR