• e enjte, 26 dhjetor 2024

Hasani në Samitin e grave afgane: Shqipëria, pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për paqen dhe stabilitetin në Afganistan

Hasani në Samitin e grave afgane: Shqipëria, pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për paqen dhe stabilitetin në Afganistan

Tiranë, 11 shtator 2024 (MIA) - Në Tiranë sot filloi Samiti treditor i grave afgane, që është takimi më i madh i aktivisteve për të drejtat e njeriut të grave dhe vajzave nga Afganistani në tre vitet e fundit.

Duke përshëndetur të pranishmit në këtë samit, ministri shqiptar për Evropë dhe Punë të Jashtme, Igli Hasani tha se "kjo është e para e këtij formati që mbahet në Tiranë", duke e vlerësuar si një ngjarje historike, sepse "për herë të parë janë mbledhur një numër aq i madh i grave aktiviste nga Afganistani".

Hasani theksoi se Shqipëria është pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për vendosjen e paqes dhe stabilitetit në Afganistan, në kuadër të misionit ISAF, ndërsa pastaj përmes misionit "Mbështje vendimtare", e udhëhequr nga NATO.

 

 

"Vendi jonë mbështet guximin, qëndrueshmërinë dhe forcën e grave afgane, të cilat vazhdojnë të luftojnë për të drejtat e tyre themelore dhe dënojnë me guxim brutalitetin e regjimit", shtoi ai.

Ai  u përqendrua edhe në mikpritjen e vendit të tij që e konfirmoi me pranimin e refugjatëve afganë.

 "Pranimi i afganëve të cilët ikin nga tmerri i kthimit të talebanëve në pushtet, nuk është vetëm një betim i thellë nderi, i lidhur me traditën unike të mikpritjes së Shqipërisë, por tregon qartë vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të siguruar për çdo afgan që hyn në territorin e saj, me të gjitha mjetet bazë të nevojshme për të gëzuar dinjitetin njerëzor dhe sigurinë e plotë në Shqipëri. Garantimi i të drejtave të grave dhe vajzave mbetet prioritet i qeverisë shqiptare", theksoi Hasani.

Potencoi se Shqipëria në Këshillin e Sigurimit është e fokusuar edhe në promovimin e agjendës "Gratë, paqja dhe siguria", pasi sipas tij, "përgjegjësia për të ngritur zërin nuk është vetëm mbi gratë afgane, por mbi të gjithë ne".

 Shtoi se "pavarësia dhe ekzistenca e grave dhe vajzave afgane në shoqëri janë në rrezik", duke theksuar se "nuk mund të ketë një shoqëri të drejtë njerëzore nëse nuk respekton të drejtat e grave".

Rreth 100 gra afgane, duke përfshirë rrjetet e grave afgane në vende të ndryshme, po marrin pjesë në samitin treditor si një platformë për të ndërtuar unitet dhe një mesazh koheziv dhe për të përforcuar zërin e tyre.

Samiti mbahet nën patronazhin e qeverisë shqiptare nëpërmjet Ministrisë për Evropë dhe Punë të Jashtme dhe organizohet nga "Gratë për Afganistanin (WFA)", në bashkëpunim me qeveritë e Spanjës dhe Zvicrës. rq/

Foto: Hasani FB

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR