• e enjte, 26 dhjetor 2024

Hasani: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ndajnë interesa të përbashkëta dhe një vizion të përbashkët për të ardhmen

Hasani:  Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ndajnë interesa të përbashkëta dhe një vizion të përbashkët për të ardhmen

Shkup, 17 janar 2024 (MIA) - Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut realizuan rezultate të shkëlqyera lidhur me eurointegrimet, me sukses e përfunduam procesin e skriningut dhe jemi në pritje të hapave të mëtejshëm. Të dy vendet në atë rrugë u përballëm me shumë sfida. Së bashku kaluam një pjesë të madhe  nga ky udhëtim duke mbështetur   njëra tjetrën dhe bashkëpunimi ynë ende më shumë duhet të thellohet dhe përforcohet dhe të bëjmë sa më shumë për rajonin për ta parë atje ku duam.

Këtë e theksoi ministri për Evropë dhe Punë të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Igli Hasani, në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij dhe nikoqir shefin e diplomacisë Bujar Osmani.

"Sot më shumë se kurrë vendet tona, shoqëritë dhe shtetet tona ndajnë interesa të përbashkëta dhe një vizion të përbashkët për të ardhmen. Shqipëria do të vazhdojë të monitorojë aktivitetet e Maqedonisë së Veriut, veçanërisht në këtë vit zgjedhor kur ju presin zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Presim që ky proces të jetë i suksesshëm dhe mbi të gjitha të mos sjellë ndonjë ndryshim në përkushtimin tuaj për të ardhmen evropiane", theksoi Hasani.

Në këtë kontekst, ai përshëndeti rolin institucional të komunitetit shqiptar për stabilitetin e vendit, veçanërisht, siç theksoi, për ruajtjen e perspektivës euroatlantike, një rrugëtim i mbushur me sfida dhe vështirësi. Shqipëria, tha Hasani, ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet konstruktive të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut në proceset politike dhe përpjekjet për konsolidimin e shtetit të së drejtës, demokracisë, kohezionit social dhe barazisë mes të gjithë qytetarëve.

"Besoj se fakti që Maqedonia e Veriut do të ketë një kryeministër shqiptar për herë të parë në histori, përfaqëson një pjesë të progresit që ka arritur vendi dhe shoqëria juaj, për të cilin dëshiroj të tregoj admirim dhe respekt për të gjitha vendet. Ne mbështesim ndërtimin e një shoqërie funksionale multietnike të bazuar në respektimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe të gjitha marrëveshjeve tjera thelbësore", thotë Hasani.

Ai e theksoi edhe vlerën e Korridorit 8, i cili siç tha, si rezultat i përpjekjeve të të dy vendeve u bë pjesë e korridoreve panevropiane dhe do ta transformojë pozitën tonë strategjike, ekonomitë tona dhe perspektivat për zhvillim, Prandaj duhet të investojmë  dhe të gjejmë mënyrë si të bashkëpunojmë  për përfitimet e këtij korridori dhe nga Plani për rritje për Ballkanin Perëndimir për përfitime maksimale të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe gjithë rajonit.

Ministri Osmani tha se janë pajtuar me Hasanin që të dy vendet duhet të vazhdojnë rrugën evropiane dhe të bëjnë më shumë për ta parë rajonin në BE.

"Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë shumë më tepër se fqinjë të mirë, ne jemi vende mike me mbështetje të lartë reciproke dhe partnerë që së bashku e vazhdojmë rrugën evropiane. Dy vendet tashmë një vit kanë zhvilluar negociata aktive, me të cilat kanë përfunduar me sukses procesin e skriningut. Të dyja vendet morën, do të thoja, nota të shkëlqyera dhe janë të gatshme që pa hezitim t'i hapin klasteret dhe kapitujt e parë të negociatave dhe duhet të përshpejtojnë integrimet e tyre evropiane", theksoi Osmani.

Sipas tij, eurointegrimi, nuk është rruga e vetme por është më e mira për reforma thelbësore të të gjithë sistemit shoqëror nga sundimi i së drejtës dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përmes cikleve të përforcuara investuese, të ardhurave më të mëdha, aktivitetit të përforcuar ekonomik, deri në përparimin e cilësisë së jetesës, arsimit, shërbimeve shëndetësore dhe sociale.

"Por është edhe çështje sigurie. Në sfidat moderne të kërcënimeve hibride, ndikimeve të jashtme, por edhe një lufte aktive në tokën evropiane, integrimi i Ballkanit Perëndimor në Evropë është gjithashtu një çështje e sigurisë politike. Evropa me një përfshirje të thellë të SHBA-së duhet të forcojë praninë e saj në rajon, të forcojë pjesëmarrjen e saj në politikat e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në këtë mënyrë jo vetëm të forcojë rolin tonë mbrojtës, por gjithashtu të dërgojë një mesazh të fortë parandalimi si një nga politikat kyçe të sigurisë së Evropës", tha ndër të tjera Osmani.

Lidhur me bashkëpunimin ekonomik, Osmani vlerësoi se mbetet pas marrëdhënieve të afërta politike, duke marrë parasysh se këmbimi tregtar arrin rreth 200 milionë euro.

Përveç takimit me ministrin e Punëve të Jashtme Bujar Osmani, në suaza të vizitës së parë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ministri Hasani, siç është njoftuar, do të realizojë takim edhe me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, zëvendëskryeministrin e parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive Artan Grubi dhe zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR