• e shtunë, 23 nëntor 2024

Haradinaj për dinarin: Improvizimet e qeverisë Kurti, Serbia krijon epërsi

Haradinaj për dinarin: Improvizimet e qeverisë Kurti, Serbia krijon epërsi

Prishtinë, 5 prill 2024 (MIA) - Lideri i opozitës Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për çështjen e dinarit serb i ka quajtur "improvizime të qeverisë" të Albin Kurtit që janë të dëmshme për Kosovën, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në deklaratë për portalin “Ekonomija onlajn” (ekonomijaonline.com), Hardinaj thotë se për shkak të veprimeve të tilla të Kurtit, aleatët e Kosovës janë "hidhëruar" dhe se vonesat në zgjidhjen e çështjes së ndalimit të përdorimit të monedhës serbe në Kosovë janë në favor të Serbisë.

“Nuk është diçka e re për fat të keq këto janë improvizime kryesisht të Qeverisë pra nuk janë diçka serioze dhe nuk po sjellin rezultatin e duhur pra po e shihni se kemi një hidhërim ndryshe thënë me fjalë të popullit të të gjithë aleatë tanë me Kosovën pikërisht për shkak të këtyre veprimeve të Qeverisë”, thotë Haradinaj.

Ish kryeministri thotë se Kosova duhet të fokusohet në implementimin e planit franko-gjerman për të arritur një marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ndërsa vonesa e zgjidhjes së çështjes së dinarit i jep Serbisë epërsi.

“Besoj se duhet me u fokusu tek tema kryesore që është implementimi i marrëveshjes së njohur si plani franko-gjerman, kuptohet me obligimet që janë marrë sepse nëse i implementojmë këto obligime të Këshillit të Evropës të kandidaturës për BE drejt NATO-s, ngecja në çështjen e dinarit janë çështje një nga një na kthen prapa na vonon dhe kuptohet po i krijon epërsi Serbisë. Realisht Serbia po i shfrytëzon kundër Kosovës këto”, u shpreh Haradinaj.

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, pas raundit të fundit të negociatave dje në Bruksel për çështjen e përdorimit të dinarit serb në Kosovë, tha se Prishtina pajtohet me propozimin e emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak, ndërsa Serbia nuk është e gatshme për kompromis dhe ka kërkuar kohë shtesë. Bislimi nuk bëri të ditur se për çfarë lloj propozimi bëhet fjalë. ls/

 

QËNDRONI TË LIDHUR