• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Haradinaj e anuloi takimin me Vjosa Osmanin për shkak të vonesës së saj

Haradinaj e anuloi takimin me Vjosa Osmanin për shkak të vonesës së saj

Prishtinë, 19 dhjetor 2023 (MIA) - Kryetari i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka shkuar sot te kryetarja e shtetit, Vjosa Osmani për konsultime për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, i propozuar nga diplomatët perëndimorë, por u largua pa e realizuar takimin, pasi Osmani është vonuar.

Zëdhënës i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, ka konfirmuar se kjo parti ka pasur vullnet të mirë për të diskutuar mbi Draftstatutin e Asociacionit, por që sipas tij, “presidentja nuk respektoi orarin e caktuar nga vetë ajo” dhe takimi ka dështuar.

Sipas, Xhemailit, Haradinaj dhe sekretari i përgjithshëm, Muharrem Nitaj, ishin në Presidencë në orarin e përcaktuar nga presidentja Osmani, por sipas AAK-së Presidentja nuk respektoi orarin e caktuar nga vetë ajo dhe për këtë arsye takimi nuk është realizuar.

Sipas Presidencës së Kosovës, takimi ishte paraparë të mbahet sot, por për shkaqe protokollare të presidentes Osmani nuk është realizuar.

"Haradinaj nuk ka dashur të presë derisa protokolli e ka njoftuar Presidenten për arritjen e tij. Pavarësisht kësaj, presidentja Osmani ka lënë të hapur mundësinë e takimit ditëve në vazhdim, kurdo që kreu i AAK-së e vlerëson se duhet diskutuar dhe adresuar çështjet e rëndësisë nacionale. Dera e Presidencës vazhdon të mbetet e hapur”, ka deklaruar Bekim Kupina, këshilltar për Media i presidentes Osmani.

Presidentja Vjosa Osmani, dje ka nisur takimet konsultative me partitë politike në vend për situatën e përgjithshme politike e me theks të veçantë për Draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Osmani u takua me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ndërsa u refuzua takimi me kreun e PDKJ-së, Memli Krasniqi. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR