• e premte, 27 dhjetor 2024

Hapen vendvotimet për zgjedhjet presidenciale, parlamentare dhe lokale në Indonezi

Hapen vendvotimet  për zgjedhjet presidenciale, parlamentare dhe lokale në Indonezi

Xhakartë, 14 shkurt 2024 (MIA) - Vendvotimet  për zgjedhjet presidenciale, parlamentare dhe lokale në Indonezi janë hapur në orën 7 të mëngjesit sipas kohës lokale, ndërsa pothuajse  205 milionë votues indonezianë do të mund të votojnë në rreth 800.000 vendvotime.

Ish-gjenerali Prabovo Subianto, ministër aktual i Mbrojtjes, është favorit në garën për  pasardhës të presidentit aktual Joko Vidodo, i cili është në pushtet dhjetë vjet.

Siç raportojnë mediat, ish-gjenerali 72-vjeçar, edhe pse u akuzua për shkelje të të drejtave të njeriut gjatë diktaturës Suharto në fund të viteve 1990-ta, mund të fitojë në raundin e parë.

Sondazhet e fundit i dhanë atij një epërsi të konsiderueshme prej gati 52 për qind ndaj ish-guvernatorit të Xhakartës, Anies Basvedan dhe ish-guvernatorit të Javas, Ganxhar Pranovo, të cilët janë pothuajse të barabartë në vendin e dytë me 27 dhe 31 përqind.

Derisa asnjëri nga tre kandidatët nuk merr shumicën, raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet në qershor.

"Do të luftojmë për të sjellë prosperitet për të gjithë indonezianët," u zotua Subianto në një tubim përfundimtar të shtunën. “Do të vazhdojmë atë që ndërtuan presidentët e mëparshëm”, shtoi ai.

Vendvotimet në arkipelag, i cili mbulon 5.000 kilometra katrorë dhe përfshin tre zona kohore, do të qëndrojnë të hapura për vetëm gjashtë orë, deri në orën 13:00 sipas kohës lokale.

Përveç presidentit, Indonezia në të njëjtën ditë duhet të zgjedhë 580 anëtarë të parlamentit dhe 20.000 përfaqësues rajonalë dhe lokalë.

Pak para hapjes së vendvotimeve në Xhakartë, një metropol me 30 milionë banorë, ra shi i madh dhe përmbyti disa pjesë të qytetit, ndërsa më herët komisioni zgjedhor raportoi se për shkak të përmbytjeve, votimi mund të vonohet në dhjetë fshatra në Java.

Treguesit e parë të rezultateve zgjedhore priten sot në bazë të mostrës së votave, pra të ashtuquajturit “numërim i shpejtë”. Në zgjedhjet e mëparshme, numërimi jozyrtar i votave doli të ishte i saktë. qa

Foto: EPA

 

 

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR