• e enjte, 26 dhjetor 2024

Hania dënoi vrasjen e Al-Aruri: Është një akt terrorist, po bëhemi më të fortë dhe më të vendosur

Hania dënoi vrasjen e Al-Aruri:  Është një akt terrorist, po bëhemi më të fortë dhe më të vendosur

Bejrut, 3 janar 2024 (MIA) - Udhëheqësi i Hamasit, Ismail Hania, mbrëmë deklaroi se vrasja e udhëheqësit të lartë të Hamasit,  Saleh al-Aruri në një sulm izraelit ndaj Bejrutit është "akt terrorist", shkelje e sovranitetit libanez dhe zgjerim plotësues i armiqësive të Izraelit ndaj palestinezëve.

Al-Aruri i vrarë ishte udhëheqës i lartë në Byronë politike të Hamasit, njëri nga themeluesit e krahut të tij ushtarak, brigadat Al Kasam, të cilat kanë kryer sulm vdekjeprurës në territorin izraelit më 7 tetor. 

SHBA-ja vitin e kaluar ofroi pesë milionë dollarë për informacione për të.

Kryeministri i përkohshëm i Libanit, Naxhib Mikati, e dënoi sulmin si një "krim të ri izraelit" dhe tha se ishte një përpjekje për të tërhequr Libanin në luftë.

Lideri i Hamasit, mbrëmë, pas vdekjes së figurës së dytë më të rëndësishme politike në lëvizje, deklaroi se lëvizja e tij "nuk do të mposhtet kurrë".

"Lëvizja, drejtuesit dhe themeluesit e së cilës ranë dëshmorë për dinjitetin e popullit dhe të kombit tonë, nuk do të mposhtet kurrë", tha Hania në një fjalim televiziv. "Është një histori rezistence dhe një lëvizje që bëhet edhe më e fortë dhe më e vendosur pas vrasjes së udhëheqësve të saj", shtoi ai.

Një dron izraelit sulmoi mbrëmë zyrën e Hamasit në Dahije, një periferi e Bejrutit dhe një bastion i grupit të armatosur të fuqishëm Hezbollah, një aleat i Hamasit, duke vrarë gjithsej gjashtë persona, njoftoi agjencia shtetërore libaneze e lajmeve. Burimet e sigurisë dhe mjekët nuk mundën të identifikonin menjëherë tre të vdekurit e mbetur. sa/

foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR