• e enjte, 26 dhjetor 2024

Hamasi: Nevojitet kohë për t'u gjetur pengjet e fshehura në Gaza

Hamasi: Nevojitet kohë për t'u gjetur pengjet e fshehura në Gaza

Moskë, 27 tetor 2023 (MIA) - Një anëtar i delegacionit palestinez të Hamasit, i cili po viziton Rusinë, tha sot se organizatës i duhet kohë për të zbuluar vendndodhjen e të gjithë pengjeve të rrëmbyer më 7 tetor në sulmin ndaj Izraelit.

Një përfaqësues zyrtar i Hamasit, i identifikuar si Abu Hamid, sot për të përditshmen ruse "Komersant" tha se organizata ishte gjithmonë e gatshme të lironte civilët, por "duhet kohë për t'i gjetur ata".

Ai pretendon se organizata të ndryshme po mbajnë pengje dhe se nevojitet një armëpushim për t'i lejuar Hamasit t'i gjejë dhe t'i lirojë ata.

Lirimi i pengjeve, prej të cilëve, sipas ushtrisë izraelite, janë më shumë se 220, po ndërmjetësohet nga Katari dhe Egjipti. Deri më tani janë liruar katër gra, dy amerikane dhe dy izraelite.

Ambasadori i Katarit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meshal bin Hamad al Tani, ka folur me izraelitin Avihai Brodec, tre fëmijët e të cilit janë marrë peng në Gaza, raportojnë mediat izraelite.

Brodeci, i cili demonstroi para Ministrisë së Mbrojtjes të Izraelit në Tel Aviv, falënderoi ambasadorin e Katarit për përpjekjet e tij për të liruar pengjet.

Ai kërkoi nga Al-Tani të vazhdojë negociatat për të liruar familjen e tij dhe rreth tridhjetë fëmijë të tjerë të rrëmbyer nga ekstremistët.

Një delegacion i përfaqësuesve të Hamasit, i kryesuar nga anëtari i krahut politik Musa Abu Marzuk, mbërriti dje në Moskë për një takim me zëvendësministrin rus të Punëve të Jashtme Mihail Bogdanov dhe diskutoi pikërisht për këtë temë -  lirimin e pengjeve.

Izraeli doli me reagim të ashpër për pëlqimin e Rusisë të jetë nikoqir i përfaqësuesve të Hamasit. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR