• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Gutereshi: Njerëzimi nuk mund ta mbijetojë vazhdimin e punës së Openhajmerit

Gutereshi: Njerëzimi nuk mund ta mbijetojë vazhdimin e punës së Openhajmerit

 Nju Jork, 18 mars 2024 (MIA) - Njerëzimi nuk mund ta mbijetojë vazhdimin e veprës së krijuesit të bombës bërthamore Robert Openhajmerit, paralajmëroi sot sekretari i përgjithshëm i KB-së, Antonio Gutereshi, duke aluduar në filmin që javën e kaluar fitoi shtatë Oskare, ndërsa "e ringjalli realitetin e ashpër të një apokalipsi bërthamor".

 "Po takohemi sot në një kohë kur tensionet gjeopolitike dhe mosbesimi kanë sjellë rrezikun e luftës bërthamore në nivelin më të lartë në dekadat e fundit", tha Gutereshi gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit për mospërhapjen e armëve bërthamore të organizuar nga Japonia.

 "Ora e ditës së gjykimit po troket, ndërsa tik-taku i tmerrshëm po kumbon në të gjithë veshët", shtoi sekretari i përgjithshëm i KB-së.

"Openhajmer"  një film i Kristofer Nolan, "e ringjalli realitetin e ashpër të një apokalipsi bërthamor për miliona njerëz në mbarë botën", shtoi Gutereshi. 

Sipas tij, njerëzimi nuk mund ta mbijetojë vazhdimin e veprës së Openhajmerit. 

 "Të gjithë ata zëra, të gjitha këto paralajmërime, të gjithë ata të mbijetuar, po e lusin botës që të largohet nga fatkeqësia drejt së cilës po shkon", tha Gutereshi.

Filmi i përshkruan momentet kryesore në jetën e Robert Openhajmerit, fizikanit që e vendosi planetin në epokën bërthamore, që çoi në fundin e Luftës së Dytë Botërore kur SHBA hodhi bomba bërthamore mbi Hiroshimën dhe Nagasakin. 

Gutereshi shprehu shqetësimin për një garë të re të armëve bërthamore. 

"Instrumentet ushtarake janë lëndë të investimeve  shumë më të mëdha  se instrumentet e paqes. Vendet po shpenzojnë shumë për teknologjitë e reja vdekjeprurëse bërthamore dhe po e zgjerojnë kërcënimin në zona të reja", tha ai.

Sekretari i Përgjithshëm i KB-së shtoi se rreziku i një "holokausti bërthamor" mund të çrrënjoset vetëm me punë të përbashkët. 

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

QËNDRONI TË LIDHUR