• e shtunë, 23 nëntor 2024

Guteresh: Këshilli i Sigurimit të KB-së është i paralizuar nga ndarjet gjeostrategjike

Guteresh: Këshilli i Sigurimit të KB-së është i paralizuar nga ndarjet gjeostrategjike

Doha, 10 dhjetor 2023 (MIA) - Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (KB) Antonio Guteresh shprehu sot keqardhjen për "paralizën" e Organizatës Botërore në kushtet e luftës midis Izraelit dhe Hamasit palestinez në Rripin e Gazës dhe që Këshilli i Sigurimit nuk votoi për armëpushim.

Duke folur në Forumin e Dohas në Katar, Guteresh tha se Këshilli i Sigurimit i KB-së është "i paralizuar nga ndarjet gjeostrategjike" që kërcënojnë aftësinë e tij për të gjetur një zgjidhje për luftën.

"Autoriteti dhe kredibiliteti i Këshillit të Sigurimit janë komprometuar seriozisht nga reagimi i tij i vonuar ndaj konfliktit dhe dëmtimi i reputacionit të tij nga vetoja e SHBA-së ndaj një rezolute që bën thirrje për një armëpushim në Gaza", tha Guteresh.

Projekt rezoluta u përgatit pasi Sekretari i Përgjithshëm thirri nenin 99 të Kartës së KB-së, për herë të parë që kur ai është në krye të organizatës botërore, e cila i lejon atij të tërheqë vëmendjen e Këshillit të Sigurimit për një çështje që "mund të kërcënojë ruajtjen e paqes dhe sigurisë  ndërkombëtare".

"Përsërita thirrjen për të shpallur një armëpushim humanitar, fatkeqësisht Këshilli i Sigurimit nuk e bëri këtë. Unë mund t'ju premtoj se nuk do të dorëzohem", tha Guteresh.

Amerikanët, aleatë të Izraelit, të premten përsëritën kundërshtimin e tyre ndaj armëpushimit.

"Ne rrezikojmë seriozisht kolapsin e sistemit humanitar. Situata po zhvillohet me shpejtësi në një fatkeqësi me pasoja potencialisht të pakthyeshme për palestinezët në tërësi dhe për paqen dhe sigurinë në rajon", paralajmëroi Guteresh në Forumin e Dohas. sa/

foto: jutjub printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR