• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Guteresh i bëri thirrje Izraelit që t'i ndërpresë operacionet ushtarake në Bregun Perëndimor

Guteresh i bëri thirrje Izraelit që t'i ndërpresë operacionet ushtarake në Bregun Perëndimor

Nju Jork, 29 gusht 2024 (MIA) - Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh i bëri thirrje Izraelit që t'i ndërpresë operacionet ushtarake në Bregun Perëndimor, pasi forcat izraelite thanë se kanë filluar një operacion të madh antiterror ditën e djeshme ku jetën e humbën të paktën 11 palestinezë.

"Sekretari i përgjithshëm është thellësisht i shqetësuar nga zhvillimet e fundit në Bregun Perëndimor dhe dënon fuqishëm humbjen e jetëve, përfshirë atë të fëmijëve", deklaroi zëdhënësi i tij, Stefan Dizharik. 

Guteresh i bëri thirrje Izraelit të përmbushë detyrimet e saj përkatëse sipas ligjit ndërkombëtar humanitar dhe të marrë masa për të mbrojtur civilët dhe për të garantuar sigurinë e tyre, shtoi Dizharik. 

"Vetëm fundi i okupimit dhe kthimi në një proces politik kuptimplotë që do të vendosë një zgjidhje me dy shtete do t'i japë fund dhunës", shtoi Dizharik.

Përfaqësuesi i përhershëm i Izraelit në Kombet e Bashkuara, Deni Danon, theksoi se që nga 7 tetori, Irani ka "kontrabanduar në mënyrë aktive pajisje shpërthyese të sofistikuara në Judeja dhe Samaria" (emri biblik për Bregun Perëndimor), të destinuara për t'u përdorur në sulme vetëvrasëse në zemër të qyteteve izraelite.

"Shteti i Izraelit nuk do të rrijë duarkryq dhe do të presë skenat e shpërthimeve në autobusë dhe kafene në qendrat e qyteteve. Operacionet e ID-së në Judeja dhe Samaria kanë një qëllim parandalimin e terrorit iranian përmes përfaqësuesve që do të dëmtonin civilët izraelitë", tha Danon. 

ID-ja më parë njoftoi se dy persona të armatosur palestinezë u vranë gjatë përleshjeve me policinë kufitare në Xhenin, ndërsa tre të tjerë në një sulm me dron në një fshat aty pranë.qa/

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR