• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Guteresh bëri thirrje për masa emergjente globale për përballje me katastrofën klimatike

Guteresh bëri thirrje për masa emergjente globale për përballje me katastrofën klimatike

Nukualofa, 27 gusht 2024 (MIA) - Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh, sot bëri thirrje për masa emergjente globale për situatën katastrofike të shkaktuar nga ndryshimet klimatike. Thirrja u bë gjatë vizitës së tij në Tonga, ku mori pjesë në Forumin e Shteteve të Paqësorit, transmeton DPA.

Vizita e Guterres përkon me publikimin e raportit të ri nga Organizata Botërore Meteorologjike (OBM), në të cilin theksohet se rajoni është i ekspozuar ndaj një "kërcënimi të trefishtë" - rritja e nivelit të detit, ngrohja e oqeanit dhe rritja e aciditetit të ujërave të oqeanit.

"Kjo është një situatë jonormale: rritja e nivelit të oqeaneve është një krizë tërësisht e krijuar nga njeriu, një krizë që së shpejti do të arrijë kufijtë e pashmangshëm, pa asnjë varkë shpëtimi që të na kthejë në siguri," deklaroi Guteres në Nukualofa, kryeqyteti i Tonga.

Në jugperëndim të Oqeanit Paqësor, ku ndodhet Tonga dhe shumë vende të tjera ishullore, nivelet e deteve janë rritur mbi mesataren globale dhe temperaturat e ujit janë rritur tre herë më shpejt se mesatarja globale që nga viti 1980, thuhet në raportin e OBM-së. Për më tepër, përqendrimi më i lartë i dioksidit të karbonit në oqeane çon në shkatërrimin e shkëmbinjve koralorë dhe dëmton jetën detare.

Guteresh i përshkroi këto të dhëna si një sinjal për masa emergjente në rast fatkeqësie. "Një katastrofë botërore kërcënon këtë parajsë të Paqësorit", deklaroi ai. “Niveli botëror i oqeaneve po rritet me një ritëm të paparë. Oqeani vërshon", shtoi ai. “Arsyeja është e qartë: gazrat serë, të krijuara kryesisht nga djegia e lëndëve djegëse fosile”, theksoi Guteresh.

Edhe pse ata kontribuojnë vetëm me 0,02 për qind të emetimeve globale, ishujt e Paqësorit janë veçanërisht të ekspozuar ndaj efekteve të ndryshimeve klimatike, sepse lartësia mesatare e tyre është vetëm një deri në dy metra mbi nivelin e detit. Rreth 90 për qind e popullsisë jeton brenda një rrezeje prej 5 kilometrash nga bregu dhe gjysma e infrastrukturës ndodhet jo më shumë se 500 metra nga bregu i detit", shtoi Guteresh.

"Rritja e nivelit të detit na prek të gjithëve, duke dëmtuar peshkimin, turizmin dhe ekonominë blu. Në nivel global, rreth një miliard njerëz jetojnë në zonat bregdetare që kërcënohen nga rritja e nivelit të oqeanit, tha Guteresh, duke shtuar se ndërsa rritja e nivelit të oqeaneve është e pashmangshme, vendimet që merren do të përcaktojnë shkallën, shpejtësinë dhe madhësinë e pasojave nga kjo.

Guteresh i përsëriti thirrjet e tij për të kufizuar në mënyrë drastike emetimet e gazrave serrë dhe për të rritur investimet për t'iu përshtatur ndryshimeve klimatike. ls/

Foto: EPA 

 

QËNDRONI TË LIDHUR