• e enjte, 26 dhjetor 2024

Grupi i parë i refugjatëve nga Nagorno-Karabah arriti në Armeni

Grupi i parë i refugjatëve nga Nagorno-Karabah arriti në Armeni

Kornixhor, 24 shtator 2023 (MIA) - Grupi i parë i refugjatëve që u larguan nga Nagorno-Karabah sot kanë arritur në Armeni, bëjnë të ditur disa agjenci botërore gazetarët e të cilëve janë në kufi me enklavën e banuar kryesisht me armenë, në të cilën Azerbajxhani këtë javë zhvilloi një ofensivë të shkurtër.

Disa dhjetëra banorë të zonës, kryesisht gra, fëmijë dhe të moshuar, mbërritën në qendrën e pranimit të ngritur nga qeveria armene në Kornixhor. Disa refugjatë deklaruan se kanë ardhur nga një fshat kufitar, ndërsa të tjerë thanë se kishin udhëtuar një rrugë të gjatë deri në rajonin malor të Kaukazit.

Forcat e Azerbajxhanit sot vazhdojnë operacionet për të rivendosur kontrollin mbi Nagorno-Karabah, pas një ofensive që ka shkaktuar konfuzion mbi fatin e 120,000 njerëzve që jetojnë në zonë.

Autoritetet armene në Nagorno-Karabah kumtuan sot se civilët e mbetur pa kulm mbi kokë për shkak të dhunës së fundit do të transferohen në Armeni me ndihmën e paqeruajtësve rusë që atje janë të pranishëm që nga lufta e fundit në 2020.

Azerbajxhani ka premtuar se do t'i lejojë luftëtarët rebelë që do të dorëzojnë armët të largohen nga zona dhe të nisen drejt Armenisë. Ministria e Punëve të Brendshme të Azerbajxhanit njoftoi sot se do të organizojë autokolona me autobus për ata ish luftëtarë, duke shtuar se mund të shkojnë edhe me makina.

Separatistët dhe zyrtarët e Bakut mbajtën të enjten raundin e parë të bisedimeve mbi "riintegrimin" e Nagorno-Karabahut.

Rajoni malor i Nagorno-Karabahut dhe disa territore përreth janë nën kontrollin armen që nga përfundimi i luftës separatiste në vitin 1994, por Azerbajxhani i ktheu territoret gjatë një luftë gjashtë javore në vitin 2020.

Lufta përfundoi me armëpushim të ndërmjetësuar nga Rusia dhe që atëherë një kontigjent paqeruajtësish rusë është në Nagorno-Karabah.

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR