• e enjte, 26 dhjetor 2024

Grifits: Në Gazë trupat janë lënë në rrugë, njerëzit kanë uri

Grifits: Në Gazë trupat janë lënë në rrugë, njerëzit kanë uri

Gazë, 13 janar 2024 (MIA) - Zëvendës sekretari i përgjithshëm i KB-së për çështje humanitare dhe koordinator për situata të jashtëzakonshme, Martin Grifits, deklaroi se situata në veri të Rripit të Gazës është "e tmerrshme", duke theksuar se trupat e të vdekurve janë lënë në rrugë dhe se njerëzit janë në prag të vdekjes nga uria. 

"Kolegët që arritën të mbërrinin në veri të enklavës ditët e fundit përshkruajnë skena të tmerrit të plotë - trupa të mbetura në rrugë. Njerëzit me shenja të dukshme të urisë ndalojnë kamionët në kërkim të diçkaje që mund t'i ndihmojë ata të mbijetojnë. Edhe nëse njerëzit janë në gjendje të kthehen në shtëpi, shumë nuk kanë më shtëpi ku të shkojnë", tha Grifits në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së KB-së.

Ky funksionar i KB-së paralajmëroi se nga dita në ditë po rritet rreziku nga uria, sepse rezervat e ushqimit dhe ujit janë në fund, përderisa sistemi shëndetësor është "në gjendje kolapsi", transmeton Si-En-En. 

"Gratë nuk mund të lindin të sigurta, ndërsa fëmijët nuk mund të vaksinohen, përderisa rastet e sëmundjeve ngjitëse dhe njerëzve që kërkojnë strehim në oborret e spitaleve janë në rritje", tha Grifits. 

Ai shtoi se përpjekjet e ekipit të tij që të dërgojë konvoje humanitare në veri "hasën në vonesa, ndalesa dhe vendosje të kushteve të pamundura", përderisa "mosrespektimi i sistemit të njoftimit e vë në rrezik çdo hapë të punonjësve humanitarë". 

Grifits, gjithashtu, theksoi se qasja e agjencisë së tij në Kan Junis është kufizuar, ndërsa Zyra e KB-së për çështje humanitare dhe koordinim të situatave të jashtëzakonshme e akuzoi Izraelin për ruatje të rezervave kyçe për enklavën palestineze. 

"Urdhrat për evakuim janë të pamëshirshme. Ndërsa operacionet tokësore lëvizin në jug, bombardimet ajrore janë intensifikuar në zonat ku civilëve u është thënë të lëvizin për sigurinë e tyre. Nuk ka vend të sigurt në Gazë. Jeta njerëzore dinjitoze është pothuajse e pamundur", tha Grifits për politikën e Izraelit për të inkurajuar popullsinë palestineze që të largohen nga shtëpitë e tyre përpara zgjerimit të operacioneve ushtarake në rajone të ndryshme të Gazës.

Që nga fillimi i konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit janë dëbuar rreth 1,9 milionë njerëz, disa prej tyre edhe disa herë, që përfaqëson 85 për qind të popullatës në Gazë, njoftoi Agjencia e Kombeve të Bashkuara për ndihmë dhe punë, organizatë e KB-së për ndihmë të palestinezëve. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR