• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Grafite "Kur ushtria serbe të kthehet në Kosovë" shfaqen në veri të Kosovës

Grafite

Prishtinë, 11 shkurt 2024 (MIA) - Grafite në gjuhën serbe, me porosinë "Kur ushtria serbe të kthehet në Kosovë" u shfaqën mëngjesin e sotëm në veri të Kosovës, në komunat e banuara me shumicë popullatë serbe, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Siç mund të shihet nga fotografitë të cilat i publikoi portali kosovar në gjuhën serbe "KoSSev" nga veriu i Mitrovicës, grafitet janë nënshkruar nga e ashtuquajtura "Brigada veriore", organizatë e cila, bashkë me organizatën tjetër të serbëve të Kosovës, "Mbrojtja civile", Qeveria e Kosovës në qershor të vitit të kaluar i shpalli organizata terroriste. Duke e sqaruar vendimin e atëhershëm, kryeministri Albin Kurti tha se ai është marrë "në bazë të faktit se ato formacione përfaqësojnë kërcënim serioz për rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës". 

"KoSSev" njofton se grafitet ishin shfaqur një ditë para tubimit të paralajmëruar të pensionistëve në veri të Mitrovicës, të cilin e mbështet partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, si dhe një ditë pas marshit të tifozëve të klubit sportiv Cërvena Zvezda në Beograd, me parulla "Shtet, mbroji serbët e Kosovës". 

Media tjetër kosovare në gjuhën serbe, "Kosovo onllajn" njoftoi se grafitet e njëjta, gjegjësisht porositë  "Kur ushtria serbe të kthehet në Kosovë - Brigada e Veriut jeton" ishin shfaqur edhe në tri komunat e tjera me shumicë popullatë serbe në veri të Kosovës - Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok. fc/

Fotografia: KoSSev

QËNDRONI TË LIDHUR