• e enjte, 26 dhjetor 2024

Gjykata në Berlin: Më 4 maj fillon procesi gjyqësor i Gerhard Shrederit kundër Bundestagut

Gjykata në Berlin: Më 4 maj fillon procesi gjyqësor i Gerhard Shrederit kundër Bundestagut

Berlin, 25 prill 2023 (MIA) - Gjykata në Berlin në maj do ta mbajë seancën e parë dëgjimore për rastin që e ngriti ish-kancelari gjerman Gerhard Shreder kundër Dhomës së ulët të Parlamentit gjerman, Bundestagut, me kërkesë që t'i kthehen të drejtat speciale, njofton DPA.

Gjykata Administrative në Berlin kumtoi se marrja në pyetje pas padisë së Shrederit është caktuar për më 4 maj.

Ish-lideri gjerman, i cili në pushtet ishte nga viti 1998 deri në vitin 2005, u kritikua shumë për involvimin e tij me kompanitë energjetike ruse dhe afërsinë e tij me presidentin rus Vlladimir Putin pas invazionit të vitit të kaluar në Ukrainë. Për shembull, Shrederi me vite ishte në Këshillin Drejtues të gjigantit energjetik rus Rosneft.

Në maj të vitit të kaluar, Bundestagu ia mori Shrederit një pjesë të privilegjeve speciale që i janë dhënë si ish-lider. Komisioni për buxhet i parlamentit gjerman vendosi, midis tjerash, ta mbyllë zyrën e tij. Shreder kërkon t'i kthehen zyra dhe bashkëpunëtortë. Padia është shtruar në Gjykatën Administrative në Berlin.

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR