• e enjte, 26 dhjetor 2024

Gjendje e jashtëzakonshme në qytetin Ranço Palos Verdes të Kalifornisë për shkak të rrëshqitjes së dheut

Gjendje e jashtëzakonshme në qytetin Ranço Palos Verdes të Kalifornisë për shkak të rrëshqitjes së dheut

Los Anxhelos, 4 shtator 2024 (MIA) - Guvernatori i shtetit federal amerikan të Kalifornisë, Gavin Njusom, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në qytetin Ranço Palos Verdes ku rrëshqitjet e dheut kërcënuan shtëpitë, ndërsa furnizimi me energji elektrike dhe gaz u ndërpre në 245 njësi banimi për shkak të linjave të dëmtuara të energjisë dhe tubacionet.

Autoritetet potencuan se rrëshqitja e dheut shkaktoi rrjedhje të tubacioneve të ujit dhe gazit, ndërsa paralajmërimet për evakuim u dhanë për një pjesë të qytetit, 40 kilometra në jug të Los Anxhelosit, transmeton Ej-Bi-Si Njuz.

Rrëshqitja e aktivizuar është pjesë e një sistemi të rrëshqitjeve të mëparshme të cilat u riaktivizuan gjatë ndërtimit të bulevardit Krensho në vitin 1956. Është një nga rrëshqitjet më të mëdha aktive në SHBA.

Në një deklaratë, guvernatori theksoi se lëvizja e tokës "është përshpejtuar ndjeshëm pas stuhive të fuqishme gjatë vitit 2023 dhe 2024".

Zyra e guvernatorit kumtoi se ka qenë duke koordinuar me administratën Ranço Palos për një vit për t'u marrë me rrëshqitjen e dheut, duke përfshirë ofrimin e asistencës teknike, duke përfshirë edhe mbështetjen e një qendre lokale për ndihmë, sigurimin e një granti federal zbutës për ujërat nëntokësore në zonë dhe ndihmën e zyrtarëve gjatë vlerësimit të dëmtimit fillestar.

"Ne nuk mund të parashikojmë se sa do të përshpejtohet rrëshqitja në javët dhe muajt e ardhshëm", tha Lari Çung, nënkryetar i kompanisë Edison Kalifornisë Jugore (SCE), gjatë një takimi të martën mbrëma.

Banorët u këshilluan të largoheshin nga zona pasi SCE paralajmëroi se shumë shtëpi do të mbeten pa energji për një kohë të pacaktuar. rq/

Foto: EPA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR