• e martë, 24 dhjetor 2024

Gjashtëqind punësime të reja në MPB, Mickoski bëri thirrje për durim, punët zgjidhen një pas një

Gjashtëqind punësime të reja në MPB, Mickoski bëri thirrje për durim, punët zgjidhen një pas një

Shkup, 14 dhjetor 2024 (MIA) – Kryeministri Hristian Mickoski pret që tashmë javën e ardhshme të shpallet konkursi për 600 punësime të reja në MPB, si rezultat i asaj që një pjesë natyrshëm kanë shkuar në pension, ndërsa një pjesë tjetër për shkak të nevojave që të fuqizohet sa i përket kuadrove. 

“Shumë pak vëmendje i është kushtuar potencialit cilësor të personelit në MPB, këtë e kuptojmë tani pas një periudhe gati gjashtë mujore, kur analizuam, hulumtuam dhe arritëm në konkluzione se në vitet e kaluara është bërë vërtet krim epik, ndërsa që ai të sanksionohet për të dalë para drejtësisë, duhet potencial kadrovik njerëzor”, deklaroi Mickoski, i cili sot mori pjesë në vendosjen e gurthemelit të zgjerimit të kopshtit për fëmijë “Kokiçinja” në fshatin Tarinci të Komunës së Karbincit.

Në pyetjen e gazetarëve për grevën e paralajmëruar në ministritë e ekonomisë dhe të politikës sociale dhe të tjera për shkak të pagave të ulëta, Mickoski u përgjigj se në kuadër të administratës, te disa ministri pagat janë me të vërtetë të ulëta dhe këtu, nënvizoi, duhet të punohet, një pas një zgjidhen problemet. 

“Këtë vit në bazë të marrëveshjes së përgjithshme kolektive do të ketë rritje, do të ketë edhe vitin e ardhshëm, kështu që pres varësisht mjeteve në dispozicion të rritet paga e të punësuarve”, deklaroi kryeministri. 

Potencoi se është me rëndësi ajo që Qeveria mori vendim që të mos ketë rritje të pagave të personave të zgjedhur dhe të emëruar, të gjykatësve, prokurorëve dhe të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe të Këshillit të Prokurorëve Publikë gjegjësisht të nivelohen koeficientet. 

“Atë që premtojmë, e realizojmë. Më parë kemi arritur një marrëveshje historike me Sindikatat e Arsimit, me Sindikatat e Shëndetësisë. Ne po i zgjidhim gjërat hap pas hapi, durim, gjithçka do të zgjidhet, por është e rëndësishme që gjërat të zgjidhen, e jo si politikat e deritanishme të futen nën qilim”, deklaroi kryeministri Mickoski. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR