Gill: BE-ja dhe SHBA-ja punojnë në deklaratën e përbashkët për marrëveshjen tregtare, doganat prej 15 pëlr qind hyjnë në fuqi prej nesër
- – Negociatorët e BE-së dhe SHBA-së punojnë në finalizimin e deklaratës së përbashkët të bazuar në marrëveshjen e arritur ndërmjet kryetares së Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen dhe presidentit amerikan Donald Tramp, deklaroi sot zëdhënësi i KE-së për tregti dhe dogana, Ollof Gill.
- Post By Fitore Curri
- 15:19, 31 korrik, 2025
Bruksel, 31 korrik 2025 (MIA) – Negociatorët e BE-së dhe SHBA-së punojnë në finalizimin e deklaratës së përbashkët të bazuar në marrëveshjen e arritur ndërmjet kryetares së Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen dhe presidentit amerikan Donald Tramp, deklaroi sot zëdhënësi i KE-së për tregti dhe dogana, Ollof Gill.
“Kur do të dihen korniza më të sakta kohore do t’ju informojmë”, tha Gill në përgjigjen e pyetjeve të gazetarëve se deri ku është përgatitja e deklaratës së përbashkët të paralajmëruar të BE-së dhe SHBA-së për saktësimin e dispozitave nga marrëveshja tregtare e arritur të dielën.
Gill shtoi se nevojitet më shumë kohë për finalizimin e deklaratës së përbashkët edhe pas 1 gushtit, kur, siç tha, skadon periudha e pezullimit të a.q. normave amerikane reciproke doganore, të cilat ishin ngrirë më 7 korrik.
“Bashkimi Evropian e ka kuptuar qartë se SHBA-ja do të zbatojë kufirin e rënë dakord të tarifës prej 15 për qind, siç deklaroi kryetarja fon der Lajen të dielën. Kjo do të thotë që nga nesër do të kemi lehtësimin e tarifave për të cilin kemi punuar kaq shumë për të arritur në mënyrë që të arrijmë stabilitet dhe parashikueshmëri për bizneset dhe konsumatorët në BE. SHBA-ja ka marrë angazhime dhe tani i takon SHBA-së t'i zbatojë ato. Topi është në fushën e tyre. Negociatat vazhdojnë”, shtoi Gill.
Ai theksoi se deklarata e përbashkët nuk është dokument i detyrueshëm juridik, por riafirmim i detyrimeve politike të dakorduara fundjavën e kaluar dhe ajo është një lloj i planit ose udhërrëfyes për vazhdimin e bashkëpunimit.
“Nga aty do të miratohen vendimet ligjore shtesë nga ana jonë. Nga ana e tyre duhet të vijnë përjashtimet e dakorduara doganore shtesë të cilat duam t’i përfshijmë në marrëveshjen përfundimtare me SHBA-në”, theksoi Gill.
Në pyetjen nëse masat reciproke doganore drejt SHBA-së, të cilat i miratoi Komisioni Evropian javën e kaluar, do të hyjnë në fuqi më 7 gusht siç është paralajmëruar, Gill u përgjigj se nëse gjërat zhvillohen ashtu siç pret BE-ja ato do të pezullohen.
"Nëse arrijmë marrëveshje, nuk kemi nevojë për dogana reciproke. Nuk mund t'ju them saktësisht se kur do të fillojnë procedurat ligjore, por qëllimi ynë është që ato të pezullohen nëse gjithçka shkon sipas pritjeve", shtoi Gill. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s