• e enjte, 26 dhjetor 2024

Gashi për MIA-n: Mandatari i ardhshëm duhet së pari të flasë me ne

Gashi për MIA-n: Mandatari i ardhshëm duhet së pari të flasë me ne

Shkup, 28 prill 2024 (MIA) - Kryeministri i ardhshëm së pari duhet të bisedojë me ne, për shtetin është më së miri që në qeverinë e re të ketë edhe përfaqësues të shqiptarëve, ndërsa ne do të bëjmë gjithçka që të bindemi së bashku me partnerin e ardhshëm, për të hyrë në procesin e ndryshimeve kushtetuese, shprehet në intervistë për MIA-n Afrim Gashi, kryetar i partisë politike Alternativa dhe bartës i listës së kandidatëve të koalicionit “Vlen” në Njësinë e dytë zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. 

Duke komentuar rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, sipas të cilave kandidati i tyre Arben Taravari fitoi 83.393 ose 9,20 për qind, e në Gostivar 75 vota më shumë se Bujar Osmani nga Fronti Evropian i BDI-së në pushtet, i cili, nga ana e tij, fitoi 121.088 vota ose 13,37 për qind, shprehet se shqiptarëve u mungon prej kohësh kultura për pjesëmarrje më të madhe në zgjedhjet presidenciale.

Gashi sqaron se ka diferencë të madhe në kulturën e votimit në zgjedhjet presidenciale, lokale dhe parlamentare, ndërsa si shembull e përmendi rastin e numrit të ndryshëm të votave që i ka marrë Imer Selmani në vitin 2009, si kandidat presidencial dhe si lider i partisë në zgjedhjet e atëhershme të dyfishta presidenciale dhe lokale.

"Do t'ju jap shembullin më plastik nga viti 2009, kur kishte zgjedhje presidenciale dhe lokale njëkohësisht, në të njëjtën ditë kur Imer Selmani, i cili ishte kandidat presidencial, ishte edhe kryetar i Demokracisë së Re. Si kandidat presidencial, atë ditë ai fitoi 150.000 vota , ndërsa si parti rreth 50.000 vota. Njerëzit votojnë ndryshe në zgjedhje të ndryshme. Argumenti i dytë është se nuk ka gjasa që një shqiptar të bëhet president në zgjedhje të drejtpërdrejta. Shqiptarëve u ka munguar prej kohësh kultura e pjesëmarrjes më të madhe në zgjedhjet presidenciale. Është shumë e rëndësishme që në zgjedhjet parlamentare, kur ka pjesëmarrje më të madhe, do të tregohet ky vullnet. Derisa të gjithë votuesit e BDI-së që ata i kontrollojnë në mënyrë klienteliste, pjesës më të madh i japin rryshfet, ose i kërcënojnë, votuesit tanë me vullnetin e tyre dalin ose nuk dalin në votime. Perceptimi ynë është se më 8 maj, do të jetë pjesëmarrja më e madhe dhe do të shihni se ka dallim të madh edhe në Tetovë edhe në Gostivar, Çair dhe në të gjitha qytetet", shprehet Gashi.

Ai gjithashtu përgënjeshtroi informacionin për takim të Taravarit me kreun e BDI-së Ali Ahmeti. Një njoftim i tillë doli, siç thotë ai, sepse maksima e Ahmetit ishte përçaj dhe sundo, por edhe krijimi i mosbesimit midis partnerëve të koalicionit.

"Besimi ynë midis të gjithë partnerëve të koalicionit është shumë i lartë, z. Taravari nuk ka pasur takim as me të, as me dikë tjetër nga BDI-ja, nuk ka pasur asnjë ofertë, kështu që kjo është krejtësisht e rrejshme. Është me të vërtetë e turpshme se si një media shumë serioze nga Shqipëria dhe një parti e tillë politike që dëshiron të fitojë edhe një herë votën e shqiptarëve në mënyrë të tillë manipulon qytetarët. Është gënjeshtër totale që është bërë publike", thekson Gashi, në lidhje me njoftimin e “Top Channel”-it shqiptar, në të cilin thuhet se në mbrëmjen e 24 prillit, Taravari është takuar fshehurazi dhe ka marrë ofertë nga Ahmeti.

Sipas tij, shtyllat kryesore të programit zgjedhor “Vlen” bazohen në nevojat më të mëdha të qytetarëve. Për prioritetin e parë – integrimi evropian nënvizon se ata do të bëjnë gjithçka “që të bindemi së bashku me partnerin e ardhshëm për të hyrë në procesin e ndryshimeve kushtetuese”.

"Prioriteti ynë i parë do të jetë sigurisht integrimi evropian, do të bëjmë gjithçka për të bindur veten së bashku me partnerin tonë të ardhshëm për të hyrë në procesin e ndryshimeve kushtetuese. Do të flasim me faktorin ndërkombëtar, do të bëjmë gjithçka për të hyrë në një proces në të cilin do të fillojmë dhe praktikisht do të mbyllim kapitujt sa më shpejt që të jetë e mundur që Maqedonia të bëhet anëtare e BE-së. Ky është prioriteti ynë i parë", bën të ditur Gashi.

Siç sqaron ai, bëhet fjalë për një proces shumë kompleks, në të cilin pajtohet të paraqitet së bashku në mbrojtjen e identitetit gjuhësor dhe kulturor të maqedonasve dhe për presion ndaj Bullgarisë.

"Ky është një proces shumë kompleks. Në procese të tilla komplekse ku keni shtet fqinj, BE me të gjitha vendet, Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të keni kryesisht gatishmëri për prioritetet kryesore që dëshironi t'i mbroni. Duhet t'i dini qëllimet e shtetit. Ne duam të jemi pjesë e Evropës. Ky është kriteri i parë. Kriteri i dytë, nëse është mbrojtja e identitetit gjuhësor dhe kulturor të maqedonasve, është se jemi dakord që në këtë pjesë mund të veprojmë së bashku. Nga ana tjetër, do të shohim se çfarë mund të bëjmë së bashku si presion ndaj Bullgarisë, për të bindur faktorët ndërkombëtarë, për të biseduar me ta. Ne presim një klimë të re politike edhe në Bullgari. Politika është proces i vështirë, nevojitet bisedim, ka nevojë për kompromise, dhe nëse keni vullnet dhe nëse doni ta shtyni atë proces përpara, do të duhet në atë mënyrë të investoni gjithçka që keni si kapital politik. Mendoj se të gjithë së bashku në shtet, numri më i madh i partive politike, janë të pajtimit në lidhje me orientimin tonë strategjik se duam të jemi pjesë e BE-së dhe do të duhet të shkojmë së bashku në këtë proces", shprehet Gashi.

Me konceptin e reformës në ekonomi si shtylla e dytë e programit, ai premton rritje të pagës minimale për katër vjet në shumën prej të paktën 800 euro, ulje të çmimeve, klimë biznesi për investime, duke tërhequr diasporën për të investuar në shtet.

Ai thekson shtyllën e tretë - luftën kundër krimit dhe korrupsionit, pasi sipas tij, pandëshkueshmëria në vend tashmë është shndërruar në fenomen. Në këtë kontekst, ai përkujton në propozimin e Alternativës kur ajo ishte pjesë e Qeverisë, e cila parashikonte një ndryshim kushtetues që korrupsioni politik të mos vjetërohej si vepër penale. Ata gjithashtu do të angazhohen për koncept të ri të arsimit, duke rritur cilësinë e njohurive të nxënësve, duke përmirësuar plotësisht sistemin arsimor, në përputhje me nevojat e kohës moderne. Shtyllat e tyre kryesore janë edhe shëndetësia, problemet sociale, decentralizimi.

Gashi konsideron se votuesit e tyre kanë një shkallë të lartë të kulturës dhe vetëdijes politike dhe për këtë arsye nuk mund të ndikojnë tek ata për të dhënë mbështetjen e tyre në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Votuesit tanë, thekson ai, janë të vetëdijshëm, ne nuk do t'u tregojmë atyre se çfarë të bëjnë, ata e dinë saktësisht se çfarë duhet të bëjnë dhe unë jam i bindur se ata do të bëjnë atë që është më e mira për ta dhe për shtetin.

Pritshmëritë nga zgjedhjet parlamentare bazohen në unifikimin në bllokun shqiptar, programin e mirë, burimet njerëzore në listat, si dhe në faktin se, siç thotë ai, qytetarët tashmë e dinë se çfarë i pret nëse zgjedhin kundërshtarin tonë. "Ata mund të presin përmirësim dhe ndryshim vetëm nëse na votojnë neve. Jam i bindur se qytetarët do të vendosin për ndryshimet kësaj radhe dhe jam i bindur se më 8 maj kjo do të ndodhë”, shprehet Gashi.

Lidhur me atë nëse ata shihen si partner i ardhshëm i koalicionit të kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili gjithashtu thotë se është i sigurt për fitore, kreu i Alternativës bën të ditur se rezultatet e zgjedhjeve presidenciale lënë të kuptohet se si mund të duket Qeveria e ardhshme.

Sipas Gashit, “Vlen” është përfaqësuesi i vetëm legjitim i shqiptarëve, kryeministri i ardhshëm duhet së pari të flasë me ta, dhe është më mirë që shteti të ketë një përfaqësues të shqiptarëve në Qeverinë e re. Ai gjithashtu paralajmëroi se për koalicion paszgjedhor do të insistojnë në përqindjen më të madhe të premtimeve në program që kërkojnë mbështetjen e votuesve për t'u bërë pjesë e programit të përbashkët qeveritar.

 

"Nuk do të doja të paragjykoja asgjë në këtë proces, por disa rezultate të zgjedhjeve presidenciale tashmë lënë të kuptohet se si mund të duket Qeveria e ardhshme. Së pari, është shumë e rëndësishme për ne që të marrim sa më shumë vota në mesin e shqiptarëve. Së dyti, është e rëndësishme që ne si koalicion të jemi të vetmit që kemi legjitimitetin për të përfaqësuar shqiptarët. Për fat të keq, BDI-ja e ka braktisur këtë koncept, ata kanë koalicion me tetë apo nëntë parti të tjera politike me bashkësitë tjera etnike, kjo është krejtësisht në rregull, por kjo tashmë është e rëndësishme në pjesën që ata e bëjnë me LSDM-në dhe VMRO-DPMNE-në. Ata edhe e bënë këtë, thanë se nuk janë në betejë me ne, por me VMRO-DPMNE-në dhe LSDM-në, do të shihni se do të humbasin prej tyre, do të shohim se cili do të jetë rezultati. Por sa i përket formimit të Qeverisë së re, që nga vitet 1990-ta nuk ka pasur Qeveri pa shqiptarë apo përfaqësues legjitimë të shqiptarëve. Prandaj, Qeveria e ardhshme ose kryeministri i ardhshëm duhet të flasin kryesisht me koalicionin tonë, e nëse nuk i pranojmë atëherë vijnë parasysh numrat, demokracia, 61 deputetë, por para rregullës së pashkruar - në të vërtetë dhe për hir të stabilitetit të shtetit dhe për të gjitha këto, është mirë që Qeveria të ketë përveç një subjekti kryesor politik maqedonas edhe në pjesën shqiptare të ketë një parti që do të përfaqësojë shqiptarët", shprehet Gashi.

Ai hodhi poshtë koalicionin me "Levicën", ndërsa është i pranueshëm koalicioni me "ZNAM" , gjë që thekson bashkëpunimin e suksesshëm në pushtetin lokal në Kumanovë.

"Levica" në këtë moment nuk vjen parasysh derisa ata kanë pikëpamje kaq të ndryshme për shumë çështje të rëndësishme, siç është orientimi strategjik i shtetit, në raport me shqiptarët dhe orientimin e shqiptarëve, etj. Levica ekstreme, e shpesh kanë qëndrime të ekstremit të djathtë, kështu që në këtë moment Levica nuk është subjekt me të cilin mund të flasim dhe të bashkëpunojmë, derisa me partinë e Maksim Dimitrievskit nuk është problem të bashkëpunojmë. Në fakt, ne si Alternativë dhe Aleanca për Shqiptarët në Kumanovë, jemi në qeverisje lokale me z. Dimitrievski dhe jemi të kënaqur me bashkëpunimin që kemi në Kumanovë", shprehet kryetari i Alternativës

Ai gjithashtu i referohet mbështetjes së Vetëvendosjes së Kosovës, e cila, siç shprehet, ndodhi për shkak se shqiptarët në shtet që kishin simpati për Vetëvendosjen donin të ishin pjesë e koalicionit “Vlen” për shkak të ndryshimeve në pjesën shqiptare.

"Vetëvendosja në Maqedoni është më autentike sesa mendoj se u krijua një perceptim se është përzierje nga jashtë. Ju i dini marrëdhëniet tona me shqiptarët nga Kosova, kemi jetuar në shtetin e njëjtë për një kohë të gjatë, lidhjet familjare, etj. Disa nga shqiptarët në Maqedoni janë të përcaktuar politikisht dhe kanë simpati ndaj Vetëvendosjes. Për shkak se ata janë shumiva opozitarë, ata duan të jenë pjesë e koalicionit tonë për ndryshime në pjesën shqiptare, kështu që nuk kishte ndonjë pritje nga Vetëvendosja kundrejt nesh. Ata zëra apo ata shqiptarë në Maqedoni të cilët kanë simpati për Vetëvendosjen janë me ne, pritshmëritë tona janë përmbushur plotësisht, jemi të kënaqur që na janë bashkuar në këtë proces shumë të rëndësishëm unifikues për rotacion politik në bllokun shqiptar", shprehet Gashi.

Sipas tij, fushata zgjedhore në shikim të parë duket e mirë, por, siç thekson ai, nëse shkoni pak më thellë, do të shihni se ajo që po bën BDI nuk është në përputhje me parimet themelore të demokracisë dhe zgjedhjeve.

Numri më i madh i votuesve që ata sjellin, shprehet Gashi, “janë me detyrim, me blerje, të bëra përmes marrëveshjeve të tyre korruptive, përmes kazinove, përmes blerjes së qendrave tregtare, projekteve si Korridori 8, duke zhvatur përqindje me të cilat i blejnë votuesit.”

"U kërcënohen, i detyrojnë të dalin në votime, gjë që nuk është në përputhje me parimet demokratike. Por, qytetarët janë të frikësuar dhe nuk dinë ku dhe si të denoncojnë. Kemi pasur një shembull në Kumanovë më 24 prill kur një aktivist i BDI-së u pa duke blerë votues, u raportua në polici, ndërsa policia erdhi tek denoncuesi dhe kërkoi që ta arrestojnë për denoncim të rrejshëm. Imagjinoni gjendjen në të cilën janë shqiptarët sot", shprehet Gashi.

Ai pret, siç theksoi, që BDI të vazhdojë "në këtë frymë në luftën për çdo votë". "Tani ata kanë një pasqyrë të qartë se kush votoi për ne dhe do të bëjnë gjithçka për t'i korruptuar, kërcënuar, për të bërë gjithçka për të zvogëluar numrin e votuesve tanë, por do të shihni se kjo nuk do të shpaguhet. Unë jam i bindur dhe u bëj thirrje të gjitha autoriteteve në vend dhe Prokurorisë dhe policisë që këtë herë të krijojnë vërtet kushte për zgjedhje korrekte. Askush nuk ka të drejtë të abuzojë me aparatin shtetëror në këtë mënyrë në kurriz të një partie politike në mënyrë që të ketë më shumë vota", shprehet kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.

Në vazhdim videointervista në tërësi: 

Lidija Vellkovska 

Fotografia: MIA

Video dhe montimi: Andrej Brankoviq dhe Vlladimir Rabasoviq

QËNDRONI TË LIDHUR