• e shtunë, 23 nëntor 2024

Galant: Izraeli nuk dëshiron luftë me Hezbollahun, por armata izraelite është e përgatitur për konflikt të tillë

Galant: Izraeli nuk dëshiron luftë me Hezbollahun, por armata izraelite është e përgatitur për konflikt të tillë

Jerusalem, 29 qershor 2024 (MIA) - Ministri izraelit i Mbrojtjes, Joav Galant deklaroi se vendi i tij nuk dëshiron luftë me lëvizjen libaneze Hezbollah, të mbështetur nga Irani, duke shtuar se armata izraelite është e gatshme për një konflikt të tillë të mundshëm, informon DPA.

"Punojmë në zgjidhje politike. Ajo është gjithnjë varianti më i mirë", tha ministri gjatë vizitës në njësitë ushtarake izraelite në afërsi të kufirit verior të Izraelit me Libanin", njoftuan mediat izraelite. 

"Ne nuk kërkojmë luftë, por jemi të gatshëm për atë. Nëse Hezbollahu zgjedh luftë, e dimë çka të bëjmë. Nëse ata zgjedhin paqe, ne do të përgjigjemi në përputhje me rrethanat", shtoi Galant.

Që nga fillimi i luftës në Rripin e Gazës, për çdo ditë ka të shtëna ndërkufitare mes armatës izraelite dhe Hezbollahut. Dje lëvizja proiraniane gjuajti 25 granata dhe tre fluturake pa pilot ndaj Izraelit, njoftoi armata izraelite. Nuk ka të lënduar, por janë shkaktuar zjarre pyjore. 

Kohët e fundit shkëmbimi i zjarrit është intensifikuar dhe disa vende u kanë bërë thirrje qytetarëve të tyre të largohen nga Libani. Siç raportojnë agjencitë e huaja, ekziston frika se lufta e mundshme e hapur midis Izraelit dhe Libanit mund të përshkallëzohet në një konflikt të madh rajonal që përfshin Iranin dhe SHBA-në. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR