• e enjte, 26 dhjetor 2024

Gërvalla: Masat e BE-së ndaj Kosovës janë një mesazh për Vuçiqin se ai mund të vazhdojë të destabilizojë rajonin

Gërvalla: Masat e BE-së ndaj Kosovës janë një mesazh për Vuçiqin se ai mund të vazhdojë të destabilizojë rajonin

Prishtinë, 30 qershor 2023 (MIA) - Zëvendëskryeministrja dhe ministre e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, i cilësoi si të panevojshme masat e shpallura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës për shkak të mos përmbushjes së kërkesave për ndërmarrjen e veprimeve për zgjidhjen e situatës në veri të vendit, të banuar nga popullata me shumicë serbe, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Pas ceremonisë së fillimit të fushatës "Festo me zemër, jo me armë", e cila po zbatohet nga MPB-ja e Kosovës, Gërvalla tha se sanksionet e njoftuara kundër Kosovës do të dërgojnë një mesazh të rrezikshëm për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se ai mund të vazhdojë "të destabilizojë jo vetëm Kosovën, por edhe të gjithë fqinjët përreth".

"Masat e marra në kuadër të përpjekjeve të BE-së për të depërshkallëzuar situatën në veri të Kosovës janë masa që BE i konsideron të justifikuara. Ne besojmë se masa të tilla janë të panevojshme, sepse është e rëndësishme në një situatë të tillë në të cilën ndodhemi t'u dërgojmë një mesazh të qartë atyre që shkaktuan trazira në veri të Kosovës. Personalisht, mendoj se masa të tilla janë të rrezikshme, sepse mund t'i krijojnë përshtypje presidentit serb Vuçiq, se ai mund të vazhdojë në të njëjtën mënyrë të destabilizojë jo vetëm Kosovën, por edhe të gjithë fqinjët përreth", tha Gërvalla.

Sipas shefes së diplomacisë kosovare, masat e njoftuara nga Brukseli nuk nënkuptojnë bllokim të fondeve evropiane për Kosovën, siç raportojnë disa media, por vetëm pezullim të përkohshëm të tyre. ia/sa/

QËNDRONI TË LIDHUR