• e enjte, 26 dhjetor 2024

Furnizimi i nëndetëseve është për shkak të rritjes së pranisë ushtarake të Kinës në rajon

Furnizimi i nëndetëseve është për shkak të rritjes së pranisë ushtarake të Kinës në rajon

Kanberra, 16 mars 2023 (MIA) - Kryeministri australian Entoni Albaneze ka mbrojtur me vendosmëri planin e Kanberrës për të blerë nëndetëse bërthamore nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vlerë rreth 245 miliardë dollarë, pasi dy ish-udhëheqësit australianë kritikuan marrëveshjen për çmimin, kompleksitetin dhe çështjet e mundshme të sovranitetit.

Marrëveshja shumë dekadashe  e sigurisë AUKUS, e zbuluar në San Diego të martën, do t'i mundësojë Australisë të blejë nëndetëse të klasit "Virxhinia" të SHBA-së përpara fillimit të prodhimit të përbashkët britaniko-australian të një klase të re nëndetësesh, SHN-AUKUS, raportojnë mediat britanike.

Pas kritikave nga Malkolm Turnbull dhe Pol Kiting, dy ish-kryeministra, Albaneze tha sot se marrëveshja ishte e nevojshme duke pasur parasysh rritjen e pranisë ushtarake të Kinës në rajon, të cilën ai e përshkroi si më të madhin që nga Lufta e Dytë Botërore.

"Kina ka ndryshuar qëndrimin dhe pozicionin e saj në marrëdhëniet ndërkombëtare që nga vitet 1990-ta, ky është një fakt, tha ai.

Turnbull tha sot se projekti AUKUS do të zgjaste më shumë dhe do të kushtonte më shumë se një plan alternativ për të blerë nëndetëse konvencionale franceze, e cila përfundoi duke anuluar marrëveshjen prej 66 miliardë dollarësh dhe shkaktoi debate diplomatike disamuajshe në aleancën perëndimore.

Pol Kiting, ish-kryeministri i Partisë Laburiste në pushtet, kritikoi dje qeverinë aktuale për miratimin e marrëveshjes së sigurisë AUKUS dhe blerjen e nëndetëseve amerikane.

Ai e përshkroi blerjen e nëndetëseve amerikane si "vendimin më të keq ndërkombëtar" të qeverisë australiane laburiste që nga rekrutimi i Luftës së Parë Botërore.

Sipas marrëveshjes, SHBA synon t'i shesë Australisë tre nëndetëse amerikane të klasit "Virxhinia" me energji bërthamore të ndërtuara nga "Xheneral Dinamiks" (General Dynamics)  në fillim të viteve 2030, me një opsion që Australia të blejë dy të tjera nëse ka nevojë.

Gjenerata e ardhshme e nëndetëseve do të ndërtohet në Britani të Madhe dhe Australi me teknologji dhe mbështetje amerikane. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR