• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Fronti Evropian: Më 8 maj të mbështetet Fronti Evropian kundrejt majorizimit

Fronti Evropian: Më 8 maj të mbështetet Fronti Evropian kundrejt majorizimit

Shkup, 2 maj 2024

Përfaqësuesi i Frontit Europian, Bujar Osmani tha se Fronti Europian mbetet opsioni më i palëkundur që skicon rrugën euroatlantike të Maqedonisë së Veriut.

Në press konferencën e sotme, Osmani rikujtoi se partia shqiptare në pushtet ishte ruajtësi i kursit euro-atlantik të vendit, teksa VMRO-DPMNE-ja për një dekadë e bllokoi rrugën e anëtarësimit në NATO dhe BE.

Në vazhdim fjalimi i plotë:

Fronti Europian ishte dhe mbetet opsioni më i palëkundur që skicon rrugën euroatlantike të Maqedonisë së Veriut, si e vetmja trajektore që na shpie në të ardhmen e sigurt.

Derisa VMRO-DPMNE për një dekadë e bllokoi rrugën e anëtarësimit drejt NATO-s dhe BE-së, ne ishim ata që e zgjidhëm nyjën, dhe sot RMV është në NATO dhe një hap para hyrjes në BE.

Derisa VMRO-DPMNE dhe aleatët e saj çdo ditë riciklojnë teza nacionaliste, koketojnë me rryma pro-ruse, kërcënojnë hapur gjithë luftën e lavdishme të UÇK-së, shtojnë tensionet mes bashkësive etnike e fetare në vend, ne jemi Fronti që garanton stabilitet dhe bashkëjetesë, duke bërë bashkë të gjitha komunitetet.  

Prandaj, votuesit e ndërgjegjshëm më nuk mund dhe nuk duhet t'u besojnë atyre që dëshirojnë të na kthejnë mbrapa në proceset që i kemi shtyrë me aq mund dhe sakrificë, në rrugën drejt paqes, NATO-s, SHBA-së dhe BE-së.  

Votuesit shqiptar më nuk kanë asnjë arsye t'u besojnë atyre që fushatën zgjedhore e nisën me albinizëm dhe po e mbyllin me mickoizëm.

Andaj, ju bëjmë thirrje edhe simpatizuesve të deritashëm opozitarë, që më 8 maj ta mbështesin Frontin Europian dhe ta fuqizojmë pozitën politike të shqiptarëve dhe të të gjitha komuniteteve tjera, kundër kërcënimit arrogant për majorizim që bën kori i papërgjegjshëm i VMRO-DPMNE-së.

Zgjedhjet e 24 prillit dëshmuan se Fronti Europian është fituesi dhe çelësi i të ardhmes euro-perëndimore të vendim tonë.

Pa asnjë dyshim, Fronti Europian është opsioni i vetëm që do të prodhojë stabilitet qeveritar, me mbi 20 mandate deputetësh.

Fronti Europian është opsioni i vetëm që do të mund të sigurojë shumicën e Badenterit, pa të cilën nuk mund të rezistojë asnjë qeverisje e ardhshme në RMV.

Fronti Europian është opsioni i vetëm që do të mund të diktojë orientimin e qartë properëndimor të vendit tonë, dhe në vitin 2030 me dy këmbë do të jemi brenda BE-së dhe në aleancë të qëndrueshme me SHBA-në.

Në të vërtetë, Fronti Europian, aleatin kryesor e ka SHBA-në, me të cilën, gjatë mandatit tim si ministër i Jashtëm, kemi nisur dialogun për partneritet strategjik.

Ky partneritet shtrihet në pesë fusha kyçe, për të cilat ne kemi plane dhe aksione konkrete.

Siguria e vendit, sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik e kulturor, si dhe heqja e regjimit të vizave me SHBA-në, janë pikat kryesore ku do ta fokusojmë gjithë potencialin tonë gjatë mandatit të ardhshëm.

Ne deri më tani kemi dhënë prova të mëdha se çdo synim të premtuar, bashkë e kemi realizuar.

Bashkërisht do t’ia dalim edhe kësaj sfide.

Sa më afër BE-së dhe SHBA-së, e sa më larg Rusisë.

Fronti Evropian

____________________________________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

QËNDRONI TË LIDHUR