Fronteks: Në vitin 2024 janë regjistruar më pak hyrje të parregullta në BE që nga viti 2021
- Numri i hyrjeve të parregullta në Bashkimin Evropian (BE) në vitin 2024 është më i vogël nga viti 2021, kumtoi sot Agjencia Evropiane për Roje kufitare dhe bregdetare Fronteks.
- Post By Sara Ademi
- 11:30, 14 janar, 2025
Varshavë, 14 janar 2025 (MIA) - Numri i hyrjeve të parregullta në Bashkimin Evropian (BE) në vitin 2024 është më i vogël nga viti 2021, kumtoi sot Agjencia Evropiane për Roje kufitare dhe bregdetare Fronteks.
"Të dhënat e reja paraprake nga Fronteks tregojnë rënie të dukshme prej 38 për qind në kalimet e parregullta kufitare të BE-së në vitin 2024, duke arritur nivel më të ulët që nga viti 2021, kur migrimi ende ishte i goditur nga pandemia e Kovid-19", njoftoi Fronteks.
Siç shton Fronteks në ueb faqen e tij, edhe krahas presioneve të përhershme migruese, bashkëpunimi i rritur ndërmjet BE-së dhe partnerëve kundër rrjetit kontrabandues dukshëm e zvogëloi numrin e kalimeve në kufijtë e jashtëm evropian, me pak më shumë se 239.000 të regjistruar vitin e kaluar.
Rënia e numrit total të kalimeve është kryesisht rezultat i një rënie prej 78 për qind të mbërritjeve në rrugën e Ballkanit Perëndimor (21,520) pas përpjekjeve të forta të vendeve të rajonit për të frenuar fluksin dhe një rënie prej 59 për qind (66,766) në kalimet përmes rrugës qendrore mesdhetare.
Në të gjitha rrugët nuk janë vërejtur trende të njejta.
Në rrugën e Mesdheut lindor, numri i kalimeve është rritur për 14 për qind në 69.400, të nxitur nga korridoret e reja nga Libia lindore, me migrantë kryesisht nga Siria, Afganistani dhe Egjipti.
Në rrugën e Afrikës Perëndimore, mbërritjet në ishujt Kanarie u rritën për 18 për qind në pothuajse 47.000, që është shifra më e lartë pasi Fronteks filloi të mbledhë të dhëna në vitin 2009. Kjo ishte nxitur në nisjet nga Mauritania, edhe pse hyrjet nga pikat tjera të nisjes u ulën.
Rritje e trefishtë e kalimeve (192 për qind) është regjistruar në rrugën kufitare lindore, kryesisht përgjatë kufirit me Ukrainën dhe Bjellorusinë.
Numri i përpjekjeve për kalim në Britani të Madhe përmes La Manshit është rritur, me 67.552 përpjekje të evidentuara, që është rritje prej nëntë për qind në krahasim me vitin 2023.
Edhe pse numri i migrimit ilegal në vitin 2024 reflekton përparim, sfidat ende mbesin, thuhet në kumtesën e Fronteks.
"Rrjetet kontrabanduese përshtaten me rrethanat e reja dhe rrjedhat migruese shpejtë mund të ndryshohen. Autoritetet kanë raportuar dhunë të shtuar nga kontrabandistët përgjatë rrugës së Ballkanit Perëndimor dhe paqëndrueshmëria e shtuar në rajone si Sahel vazhdon të shtyjë migrimin drejt Evropës", thuhet në kumtesë.
Kalimet detare, shpesh herë të organizuara nga rrjetet e krimit të organizuar, vazhdojnë të paraqesin rrezik ekstrem për migrantët, me ç'rast Organizata Ndërkombëtare për Migrim vlerëson se 2.300 njerëz humbën jetën në det vetëm në vitin 2024, duke nxjerrë në pah numrin tragjik njerëzor të këtyre udhëtimeve të rrezikshme. sa/
Foto: Arkivi i MIA-s