• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Frederiksen: Duhet t'i lejohet Kievit të përdorë armë perëndimore për sulme në Rusi

Frederiksen: Duhet t'i lejohet Kievit të përdorë armë perëndimore për sulme në Rusi

 Kopenhagë, 23 shtator 2024 (MIA) - Kryeministrja e Danimarkës, Mete Frederiksen, sot u bëri thirrje shteteve aleate të Ukrainës të lejojnë që Kievi të përdorë armë perëndimore për sulme në territorin rus.

"Propozoj  që t'i ndërpresim diskutimet për vijat e kuqe. Vija e kuqe më e rëndësishme u kalua kur rusët hynë në Ukrainë. Unë nuk do ta pranoj këtë premisë dhe nuk mund të pranoj që dikush nga Rusia të vendosë se çfarë është e drejtë në NATO, Evropë apo Ukrainë", tha Frederikseni në një intervistë për Blumbergun.

 Ajo vlerësoi se aleatët e Ukrainës kanë gabuar kur "lanë duart" nga sulmet e dronëve ukrainas që goditën objektivat në Rusi.

 Sipas saj, kjo i dha Moskës "një hartë shumë të fortë".

 Vendet që dërgojnë armë në Ukrainë për luftën kundër Rusisë, kryesisht SHBA-ja, kanë vendosur kufizime në përdorimin e këtyre armëve, duke druajtur se përdorimi i tyre në territorin rus do të çojë në një konflikt të drejtpërdrejtë midis NATO-s dhe Rusisë.

 Javën e kaluar, sekretari i përgjithshëm në largim i Aleancës, Jens Stoltenberg, tha se NATO-ja nuk do të bëhet pjesë e konfliktit nëse vendet-anëtare lejojnë Ukrainën të kryejë sulme me armë që i ka marrë nga perëndimi në territorin rus dhe se Perëndimi nuk duhet të ketë frikë t'i kalojë "vijat e kuqe".

 Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskovi tha se Stoltenbergu e tha këtë sepse ai do të largohet së shpejti nga detyra. "Ai është një njeri i cili largohet, së shpejti do të ndëpresë të punojë atje.  Por, për fat të keq, mendoj se qëndrimin e tij e ndajnë shumë njerëz në Evropë. Kemi dëgjuar shumë fjalë të zemëruara nga Evropa, se, thonë, nuk duhet të keni frikë as nga Rusia as nga (presidenti rus Vladimir) Putini, se nuk ka nevojë t'i merrni  seriozisht", tha Peskovi dhe shtoi se ka ende "kokë të kthjellta" që analizojnë me kujdes fjalët e Putinit dhe kuptojnë se çfarë nënkuptojnë në të vërtetë.

 Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR