Franca do t'u ndalojë ardhacakëve të dhunshëm izraelitë të hyjnë në vend
- Franca do të ndalojë hyrje në vend për 28 ardhacakë izraelitë, duke i akuzuar për sulme ndaj palestinezëve në Bregun e okupuar Perëndimor, kumtoi sot Ministria franceze e Punëve të Jashtme.
- Post By Besnik Shuki
- 16:24, 13 shkurt, 2024
Paris, 13 shkurt 2024 (MIA) - Franca do të ndalojë hyrje në vend për 28 ardhacakë izraelitë, duke i akuzuar për sulme ndaj palestinezëve në Bregun e okupuar Perëndimor, kumtoi sot Ministria franceze e Punëve të Jashtme.
"Masa është miratuar si përgjigje të rritjes së dhunës së ardhacakëve ndaj popullatës palestineze në muajt e fundit. Franca e konfirmon dënimin e saj të fuqishëm ndaj kësaj dhune të papranueshme", thuhet në kumtesën e Ministrisë, ku nuk përmenden individë.
Sipas të dhënave të KB-së, sulmet ditore të ardhacakëve janë rritur më shumë se dyfish. Dhe derisa pjesa më e madhe nga vëmendja ndërkombëtare është e orientuar drejt sulmit tejkufitar të Hamasit dhe ushtrisë izraelite në Gazë, përfaqësuesit evropianë janë po ashtu të brengosur për dhunën e rritur ndaj palestinzëve në Bregun Perëndimor.
SHBA-ja dhe Britania e Madhe tashmë kanë vendosur sanksione për disa ardhacakë, të cilët konsiderohen se janë përgjegjës, ndërsa shefi i diplomacisë evropiane, Zhozep Borrel në dhjetor tha se do të propozojë masa të ngjashme. Parisi e ka përkrahur iniciativën, ndërsa diplomatët thanë se shpresojnë se, pasi masat do të hyjnë në fuqi, kjo mund ta përshpejtojë procesin evropian.
Në deklaratë të përbashkët të publikuar dje nga ministrat e punëve të jashtme të Francës, Polonisë dhe Gjermanisë thuhet se dhuna e ardhacakëve ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor është e papranueshme dhe do të sanksionohet. bsh/
Foto: EPA