• e enjte, 26 dhjetor 2024

Forumi Investues i Odave Ekonomike kërkon nga Brukseli vendim urgjent për integrimin e Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët evropian

Forumi Investues i Odave Ekonomike kërkon nga Brukseli vendim urgjent për integrimin e Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët evropian

Prishtinë, 6 qershor 2023 (MIA) - Brukseli duhet urgjentisht të marrë një vendim që do t'i mundësojë Ballkanit Perëndimor të bëhet pjesë e tregut të përbashkët evropian. Nuk ka asnjë arsye që kjo të mos ndodhë menjëherë ose shumë shpejt, vitin e ardhshëm ose maksimumi dy vjet. Ne kemi qenë në këtë proces për një kohë të gjatë, Maqedonia e Veriut, Serbia, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Mali i Zi. Ekonomitë tona kanë zbatuar tashmë standardet që ishin të rëndësishme për funksionimin e ekonomisë. I gjithë procesi aktualisht është në bllokim. Ndërkohë, biznesi vuan, nuk mund të jetë konkurrues ndaj atij të vendeve evropiane. Kështu, ai humbet edhe mundësitë edhe rastet.

Ky është mesazhi që anëtarët e Forumit Investues të Odave Ekonomike i kanë dërguar sot nga Prishtina, Bashkimit Evropian. Sipas tyre, është paradoksale që BE-ja ende e lë mënjanë Ballkanin Perëndimor.

Siç bën të ditur raportuesi i MIA-s, përfaqësuesit e bizneseve të mbledhur me rastin e përfundimit të projektit "Përkrahja e BE-së për FIO BP6" iu drejtuan edhe politikanëve, duke theksuar edhe një herë se sa i rëndësishëm është sektori privat sepse, siç u theksua, ky sektor paguan taksa, ndërton rrugë dhe hap vende pune.

“Në vend që të presim që politikanët nga rajoni të shohin vizionin më të gjerë se pa bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor nuk ka Bashkim Evropian dhe të fillojmë të punojmë për zbatimin e gjithçkaje që është përshkruar në Tregun e Përbashkët Rajonal, në vend që të presim të shohim se çfarë do të ndodhin në proceset integruese të gjashtë vendeve të BE-së, në vend që të presim që të ratifikohet një marrëveshje apo të përfundojnë disa negociata, ne kemi punuar drejtpërdrejt me kompanitë gjatë gjithë kësaj kohe dhe kemi ofruar dhjetëra shërbime nga të cilat përfitojnë ato drejtpërdrejt - dhe më e rëndësishmja, së bashku e kemi zbatuar për gjithë rajonin,” është mendimi i kryetarit të Odës Ekonomike, Branko Azeski, i cili edhe pse ka paraqitur pjesëmarrjen e tij nuk ka mundur të marrë pjesë në konferencën finale.

Kryetari i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh, ishte i vendosur se ekonomia e sotme është globale dhe se nuk është aspak e njëjtë me atë që ishte para pesë apo dhjetë viteve dhe kjo, theksoi ai, duhet të merret parasysh. Rajoni, vlerësoi Çadezh, ka potencial të madh.

“Duhet një vendim nga Brukseli. Nuk ka rrugë tjetër për të mbijetuar dhe ky është mesazhi ynë nga këtu, nga biznesi i Ballkanit Perëndimor. Ne nuk mund të punojmë më me instrumentet dhe mjetet që janë në dispozicion që prej 30 vjetësh dhe që janë krijuar për një botë që nuk ekziston më”, tha Çadezh.

Synimi ynë, shtoi ai, është të bindim BE-në dhe vendet e saj anëtare sa më shpejt që ky rajon duhet të jetë pjesë e tregut evropian dhe se duhet të gëzojë katër liritë (fluksin e lirë të mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit).

“Kjo duhet të ndodhë menjëherë, që njerëzit këtu të kenë sukses. Aktualisht i gjithë procesi është në bllokim. Kur ke një marrëdhënie kontraktuale me BE-në, mund të lëvizësh lirshëm, kapitali lëviz lirshëm, nuk ka kufij dhe je pjesë e tregut të vetëm, që do të thotë se punon saktësisht në të njëjtat kushte si kolegët e tu nga Bratislava apo qytete të tjera. Tani ju po paguani shumë më tepër vetëm për dokumentet, vetëm për administratën, ndërsa kolegët tuaj po paguajnë shumë më pak, dhe si mund të jemi konkurrues? Nuk mundemi. Shpresoj, që më në fund edhe Evropa të kuptojë se Ballkani

Perëndimor nuk është një rajon problemesh dhe fatkeqësish, që duhet të zvarritet, disi, për ta pasur kur ju duhet. Jo, ky rajon ka potencial si asnjë tjetër në Evropë. Evropa sot importon 98 për qind të të gjitha metaleve të rralla që i nevojiten për industritë e reja të gjelbra, teknologjitë diellore, bateritë, automjetet elektrike nga Kina dhe këtu në rajon nuk ka vetëm rezerva, por edhe miniera që punojnë si dhe përpunojnë nikelin, kobaltin, litiumin, grafitin, kalcitin,..., Tani imagjinoni, duhet të vërtetojmë diçka. Jo, ne jemi pjesë dhe duam të jemi pjesë e konstruksionit evropian, jo të jemi dikush që do ta pranoni nga mëshira”, nënvizoi kryetari i Odës Ekonomike të Serbisë.

Ai ka adresuar drejtpërdrejti se tani është i nevojshëm vendimi i Brukselit.

“Është paradoksale që BE-ja ende e lë mënjanë Ballkanin Perëndimor. Ne nuk jetojmë më në botën e pesë viteve më parë, tani është koha e globalizimit. Ne humbasim mundësitë dhe rastet. Prandaj, mesazhi i vetëm nga këtu do të ishte që Ballkani Perëndimor të bëhet sa më shpejt pjesë e strukturave evropiane, vitin e ardhshëm ose maksimumi pas dy vitesh, për të qenë pjesë e tregut të përbashkët evropian. Për kompanitë dhe njerëzit tanë do të thotë që ata gëzojnë të njëjtat liri si të gjithë qytetarët e BE-së, dhe ndërkohë ne do të vazhdojmë të punojmë për t'u bërë anëtarë të barabartë të Unionit. Është BE ajo që mund ta zgjidhë problemin. Është shumë e lehtë të thuash “uluni bashkë dhe bisedoni, negocioni diçka dhe ne do të vijmë. Por nuk funksionon kështu. Gjërat janë të ndryshme. Ekonomia aktuale e Evropës, nuk do të thoja se është një histori që mund të krijojë të ardhmen, vuri në dukje Çadezh.

Qëllimi i konferencës finale është që të theksohen të arriturat e projektit në të cilin kanë marrë pjesë së bashku të gjitha odat ekonomike – anëtare të FIO-s. Rezultatet do të prezantohen nga kryetarët e odave, anëtarët e Bordit Menaxhues të FIO-s dhe kompanive. Konferenca organizohet në dy panele, njëri për ndikimin pozitiv të mbështetjes evropiane të FIO-s ndërsa i dyti për përfitimet e projektit "Përkrahja e BE-së për FIO BP6".

Në konferencë janë të pranishëm, kryetarët e Dhomave të Tregtisë së Kosovës dhe Serbisë, Lulzim Rafuna dhe Marko Çadezh, Presidentja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë, Ines Muçostepa, nënkryetari i Dhomës së Tregtisë së Malit të Zi, Nikola Vujoviq, si dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Odës Tregtare të BeH-së, Mirko Boshkoviq.

Konferenca do të përmbyllet me prezantimin e sekretares së përgjithshme të Forumit Investues të Odave Ekonomike, Tatjana Shterjova Dushkovska.

Forumi Investues i Odave të Ballkanit Perëndimor (FIO BP6) është shoqatë e odave ekonomike të tregtisë nga Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, e cila krijoi një platformë për bashkëpunim në vitin 2017. Qëllimi është të ofrohet një zë i përbashkët për komunitetin e biznesit në rajon, të lehtësohen kontaktet e biznesit ndërmjet kompanive dhe të promovohet rajoni si një destinacion unik investimi.

foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR