• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Fon der Lajen zyrtarisht kërkoi nga anëtarët e BE-së që të propozojnë kandidatë për eurokomisionerë

Fon der Lajen zyrtarisht kërkoi nga anëtarët e BE-së që të propozojnë kandidatë për eurokomisionerë

Bruksel, 25 korrik 2024 (MIA) - Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen sot në mëngjes u dërgoi kërkesa vendeve anëtare të BE-së që të nominojnë kandidatë për eurokomisionarë, për çka afati i fundit është 30 gushti, informoi sot zëvendës kryezëdhënësja e KE-së, Ariana Podesta.

"Sigurisht që nuk do të komentojmë njoftimet individuale, por do t'ju referohesha në atë që tha kryetarja javën e kaluar në konferencën për media në Strasburg, ku ishte shumë e qartë se do të dërgonte letër ku do t'u kërkonte vendeve anëtare të propozonin një burrë dhe një grua si kandidate dhe se ai do të përpiqet për numër të barabartë të burrave dhe grave në Kolegjin e Komisionerëve", deklaroi Podesta në përgjigjen e një pyetje se si Fon der Lajen planifikon të sigurojë barazi gjinore në Komisionin Evropian, kur një numër i madh i shteteve anëtare njoftojnë se do të emërojnë vetëm nga një kandidat prej të cilëve shumica janë burra.

E pyetur se çka do të ndërmarrë Fon der Lajen nëse vendet anëtare nuk e respektojnë kërkesën e saj për eurokomisionerë që të propozojnë nga një burrë dhe një grua, Podesta tha se procesi i nominimeve filloi me letrën e dërguar sot dhe se nuk do të dëshironte të spekulojë me skenarë hipotetikë. 

Ajo përkujtoi se përjashtim nga kërkesa për nominim nga dy kandidatë - burrë dhe grua, do të ketë vetëm në rast se kandidati i propozuar është eurokomisioner aktual. 

Në pyetjen se cila është baza ligjore për kërkesën e tillë të Fon der Lajen, Podesta u përgjigj se nuk do të hyjë në interpretime ligjore. 

"Mendoj se kryetarja e kishte të qartë se synon të ketë pjesë të barabartë të burrave dhe grave në Kolegjin e Komisionerëve dhe për këtë arsye kërkoi që të propozonin nga dy emra. Sigurisht që ajo do të flasë me ta dhe do të bëjë zgjedhje bazuar në cilësitë e kandidatëve. Nuk do të spekuloja mbi bazën ligjore. Është kërkesë për të siguruar barazi gjinore në Kolegj dhe mendoj se është shumë e qartë se çfarë kërkon ajo", shtoi Podesta. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR