• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Fon der Lajen propozoi zyrtarisht Vopke Hukstran për eurokomisar të ri

Fon der Lajen propozoi zyrtarisht Vopke Hukstran për eurokomisar të ri

Bruksel, 29 gusht 2023 (MIA) - Pas bisedimeve të sotme me kandidatin e propozuar nga Qeveria e Holandës për komisionerin e ri evropian, Vopke Hukstra, vendosa t'i propozoj Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Evropian që ta emërojnë atë si anëtar të Komisionit Evropian, njoftoi sot pasdite kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen.

Ajo informoi se Hukstra, i cili është ministër aktual holandez i Punëve të Jashtme, do të jetë i obliguar për politikën klimatike të BE-së, nën udhëheqjen e nënkryetarit ekzekutiv të Komisionit Evropian për Marrëveshjen e gjelbër evropiane dhe Marrëdhëniet ndërinstitucionale, Marosh Shefçoviç.

"Hukstra ka treguar motiv të fortë për pozicionin dhe përkushtim të madh ndaj Bashkimit Evropian. Ai, gjithashtu ka përvojë relevante profesionale për këtë pozicion. Hukstra ka përvojë të gjerë në çështjet evropiane, pasi ai ishte zëvendës kryeministër dhe ministër holandez i Punëve të Jashtme nga viti 2022 dhe ministër i Financave nga viti 2017 deri në vitin 2022", theksoi kryetarja e Komisionit Evropian.

Hukstra duhet ta zëvendësojë Frans Timermansin, i cili javën e kaluar zyrtarisht dha dorëheqje nga Komisioni Evropian për të udhëhequr bllokun e Partisë së tij Laburiste (PVDA) dhe të Majtën e Gjelbër (GL) në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Holandë, të planifikuara për në nëntor dhe të jetë kandidat për kryeministër i këtij koalicioni. qa/bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR