• e diel, 06 tetor 2024

Fon der Lajen: Po ndërtojmë një kontinent të bashkuar me barazi para ligjit dhe me liri e demokraci për të gjithë

Fon der Lajen: Po ndërtojmë një kontinent të bashkuar me barazi para ligjit dhe me liri e demokraci për të gjithë

Bruksel, 22 korrik 2023 (MIA) - Ndërtimi i paqes përmes respektimit të shtetit të së drejtës është rregulli mbi të cilin bazohet një Evropë e bashkuar, deklaroi mbrëmë vonë me orën evropiane Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen në fjalimin e saj në ceremoninë në të cilën KE-së iu dorëzua Çmimi Botëror për Paqe dhe Liri, i cili ndahet nga Shoqata Botërore e Juristëve.

"Kur mbaroi Lufta e Dytë Botërore, Evropa ishte e shkatërruar dhe në hi, dhe vendet evropiane ishin armiq të përbetuar. Por pesë prej tyre vendosën të falin - të mos harrojnë, por të falin. Ata i shtrinë dorën Gjermanisë dhe të tjerëve me një kusht: të bënin gjithçka që ishte e nevojshme për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme të bazuar në sundimin e ligjit", vlerësoi Fon der Lajen në fjalimin në ceremoninë e cila mbahet në selinë e Këshillit Ekonomik dhe Social të OKB-së në Nju-Jork.

Në kushte të tilla, theksoi ajo, lindi ideja evropiane, së pari si Komuniteti Ekonomik Evropian, me vetëm gjashtë anëtare, e cila sot u shndërrua në Bashkimin Evropian me 28 vende anëtare.

Siç njoftoi korrespondentja speciale e MIA-s nga Brukseli, ajo iu referua edhe zhvillimeve në Ukrainë, duke theksuar se presidenti rus Vladimir Putin e ka rikthyer luftën në kontinentin evropian në të cilin ka "qytete të rrafshuara me tokë, fëmijë të marrë nga familjet e tyre dhe civilë të vrarë me gjakftohtësi."

Fon der Lajen theksoi gjithashtu se misioni i BE-së është të mbrojë dhe promovojë të drejtat themelore në një botë që po ndryshon vazhdimisht, ajo qëndron për barazinë midis burrave dhe grave, për garantimin e lirisë për arsim dhe punë dhe për mbrojtjen nga dhuna.

Ajo iu referua gjithashtu zhvillimit të teknologjive digjitale, të cilat, tha ajo, kanë vendosur “kufizime të reja për të drejtat themelore dhe për këtë arsye nevojiten ligje të reja për të mbrojtur “vlerat tona të qëndrueshme në botën onlajn”.

Në arsyetimin e Kongresit Botëror të Juristëve thuhet se Çmimi për Paqe dhe Liri i jepet Komisionit Evropian për angazhimin e tij për "promovimin e paqes përmes ligjit dhe sundimit të ligjit".

Çmimi Botëror për Paqe dhe Liri konsiderohet joformalisht një lloj “Çmimi Nobel për Drejtësi” dhe është njohja më e lartë e dhënë nga Shoqata Botërore e Juristëve.

Ndër fituesit e mëparshëm të këtij çmimi janë edhe ish-kryeministri britanik Uinston Çerçill, ish-presidenti i Afrikës së Jugut, Nellson Mandela, Mbreti Felipe Gjashti i Spanjës, laureatja franceze e Nobelit dhe bashkëautori i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut Rene Kasin, ish-gjyqtarja në Gjykatën Supreme të SHBA-së, Rut Bader Ginsburg dhe ish-presidenti kolumbian Ivan Duke. qa/shk/

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR