• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Fon der Lajen: Plani ukrainas do të ndihmojë në nxitjen e rritjes dhe përafrimin e Ukrainës drejt BE-së

Fon der Lajen: Plani ukrainas do të ndihmojë në nxitjen e rritjes dhe përafrimin e Ukrainës drejt BE-së

Bruksel, 20 mars 2024 (MIA) - Planin që Ukraina e dorëzoi sot në BE është tregues se si vendi përmes kombinimit të reformave dhe investimeve mund të kthehet në rritje të shpejtë dhe të fillojë të kompensojë humbjet e shkaktuara nga agresioni rus, tha sot kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen para takimit me kryeministrin ukrainas, Denis Shmihal.

"Ky është me të vërtetë një moment kyç në bashkëpunimin tonë. Suksesi juaj në krijimin e Planit është edhe më mbresëlënës, sepse vetëm para 19 ditësh hyri në fuqi mekanizmi ukrainas. Kjo do të nxisë rritjen dhe njëherësh do të ndihmojë Ukrainën që të afrohet me Unionin tonë. Angazhimi i qeverisë ukrainase është i jashtëzakonshëm, veçanërisht pasi ende përballeni me agresionit brutal rus", deklaroi Fon der Lajen.

Ajo theksoi se Plani tani do të shqyrtohet me kujdes dhe shprehu shpresën se Komisioni Evropian së shpejti do të mund të japë rekomandim pozitiv para Këshillit të BE-së për miratimin e tij.

"Mekanizmi ukrainas në vlerë 50 miliardë euro i mbështetur nga Plani është deri tani programi më i madh për mbështetje për Ukrainën. Plani do të paraqesë gjithashtu pikë kyçe referimi për donatorët e tjerë dhe është kyç për Ukrainën që të sigurojë koherencë rreth mbështetjes", shtoi kryetarja e KE-së.

Ajo paralajmëroi se Komisioni Evropian sot i ka paguar Ukrainës këstin e parë në kuadër të Mekanizmit në vlerë 4.5 miliardë euro.

"Kjo pagesë është kyçe për të ndihmuar që të ruani funksionimin e shtetit në këtë moment shumë të vështirë", ka thënë Fon der Lajen.

Sipas saj, pasi Ukraina të përmbushë kushtet e dakorduara, gjatë muajit prill Komisioni Evropian do të paguajë një tjetër këst prej 1.5 miliardë euro.

"Sot është një ditë e mirë për Ukrainën. Fondet për të përmbushur nevojat urgjente po arrijnë. Vendi ka vendosur një bazë të fuqishme për mbështetjen e BE-së deri në fund të vitit 2027", ka thënë Fon der Lajen.
Shmihal, nga ana tjetër ka thënë se plani do të mundësojë parashikim në rindërtimin e Ukrainës dhe zbatimin e reformave dhe se do ta afrojë vendin me BE-në.

"Evropa e Bashkuar mori vendime vendimtare për të ardhmen tonë të përbashkët. Ukraina dhe BE-ja nuk kanë qenë kurrë më afër në vlerat, aspiratat dhe shpresat e përbashkëta", ka thënë kryeministri ukrainas, duke shtuar se vendi çdoherë do ta vlerësojë ndihmën dhe mbështetjen që merr nga BE-ja për të përforcuar qëndrueshmërinë dhe ekonominë e saj.

Foto: EBS

 

QËNDRONI TË LIDHUR