• e shtunë, 23 nëntor 2024

Fon der Lajen niset për në Tiranë për pjesëmarrje në Samitin e Procesit të Berlinit

Fon der Lajen niset për në Tiranë për pjesëmarrje në Samitin e Procesit të Berlinit

Bruksel, 15 tetor 2023 (MIA) - Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen sot niset për në Tiranë, ku nesër do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit, i cili për herë të parë mbahet në një nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Siç kumtoi Komisioni Evropian, është parashikuar pasdite Fon der Lajen të takohet me presidentin shqiptar Bajram Begaj dhe me kryeministrin Edi Rama, me të cilët do të diskutojë për procesin e inkuadrimit të Shqipërisë në BE.

Nesër, në Samitin e Procesit të Berlinit, ku do të marrin pjesë krerë shtetesh apo qeverish nga Ballkani Perëndimor, Fon der Lajenit do t'i bashkohet edhe Komisari Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhei.

Siç lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, Samiti do të jetë mundësi që përfaqësuesit e BE-së të bisedojnë me liderët rajonal për Planin e ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili aktualisht është duke u përgatitur nga Komisioni Evropian dhe i cili ka për qëllim t'u mundësojë qytetarëve nga vendet e rajonit të ndjejnë përfitimet e anëtarësimit në Union, si aksesi në tregun e përbashkët evropian, bashkëpunimi ekonomik rajonal, përshpejtimi i reformave themelore dhe rritja e mbështetjes financiare.

Plani i Rritjes do të plotësojë mbështetjen për vendet e Ballkanit Perëndimor tashmë të ofruar në kuadër të Planit Ekonomik dhe Investimeve të BE-së prej 30 miliardë eurosh, i nisur në vitin 2020, i cili deri më tani ka mobilizuar 16 miliardë euro investime për projekte kryesore në rajon.

"Gjatë Samitit, liderët nga rajoni do të diskutojnë progresin e Tregut të Përbashkët Rajonal të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë zbatimin e marrëveshjeve rajonale të mobilitetit, të nënshkruara vitin e kaluar në Berlin. Samiti do të konfirmojë gjithashtu reduktimin e fundit të kostove të roamingut në rajon dhe BE, që ka qenë mbështetja themelore e Komisionit dhe Këshillit për Bashkëpunim Rajonal", shtohet në kumtesë.

Samiti pritet të rezultojë me një sërë deklaratash të përbashkëta të vendeve të Ballkanit Perëndimor në lidhje me bashkëpunimin në fusha të tilla si mbrojtja e klimës dhe ndotja e mjedisit jetësor, tranzicioni digjital, lehtësimi i tregtisë dhe transportit, ambicia për t'iu bashkuar hapësirës së euros me pagesë të vetme dhe synimi për të krijuar një observator konvergjence.

Nesër, Fon der Lajen do të marrë pjesë edhe në hapjen e Zyrës për Lidhje të Kolexhit të Evropës në Tiranë. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR