• e enjte, 26 dhjetor 2024

Fon der Lajeni në Prishtinë: Kosova të formojë Asociacion të komunave me shumicë serbe, Beogradi të njohë Kosovën

Fon der Lajeni në Prishtinë: Kosova të formojë Asociacion të komunave me shumicë serbe,  Beogradi të njohë Kosovën

Prishtinë, 30 tetor 2023 (MIA) - Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, e cila sot nga Shkupi ka udhëtuar për në Prishtinë në kuadër të turneut të saj ballkanik, porositi se Kosova duhet ta pranojë draftin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia duhet ta pranojë njohjen de fakto të Kosovës, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me presidenten Vjosa Osmani, pas takimit të tyre të zhvilluar në Kabinetin presidencial, Fon der Lajeni tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë  është e vetmja mënyrë për të ecur përpara.

"Kemi një plan të ri të investimeve dhe ky plan është duke funksionuar shumë mirë. Nëse funksionon për shtetet anëtare të BE-së do të funksionojë edhe te vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky plan ka mundësinë që brenda një dekade të dyfishojë të ardhurat tuaja. Të gjitha këto suksese arrihen vetëm nëse Kosova dhe Serbia normalizojnë marrëdhëniet e tyre. Kosova duhet të pranojë draftin për Asociacionin, kurse Serbia duhet të pranojë një njohje de fakto dhe dialogu i BE-së është i angazhuar në bisedime. Kjo është mënyra e vetme për të shkuar para”, deklaroi Fon der Lajeni. 

 Pas takimit me Osmanin, Fon der Lajeni është pritur nga kryeministri Albin Kurti.

Kryetarja e Komisionit Evropian, e cila dje në Shkup e filloi turneun e saj katërditor nëpër Ballkanin Perëndimor, pas qëndrimit të sotëm në Kosovë, do të vizitojë edhe Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën.

Siç është paralajmëruar Brukseli, gjatë vizitës në kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor, fon der Lajeni do ta prezantojë Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor, e cila është një nismë e përbashkët e Bashkimit Evropian, institucioneve financiare dhe donatorëve, që synon zhvillimin socio-ekonomik dhe perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Pako e investimeve të planifikuara nga Unioni për zhvillimin e rajonit kap vlerën e gjashtë miliardë eurove, nga të cilat 2.1 miliardë euro janë grante dhe katër miliardë euro kredi, kështu që kjo ndihmë për rajonin do të kushtëzohet nga shkalla e reformave të kryera në secilin prej vendeve veç e veç. qa/

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR