• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Fon der Lajen në Konferencën e Investimeve në Egjipt

Fon der Lajen në Konferencën e Investimeve në Egjipt

Bruksel, 29 qershor 2024 (MIA) - Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen do të qëndrojë për vizitë në Egjipt, ku do të marrë pjesë në Konferencën e Investimeve BE-Egjipt, që sot dhe nesër mbahet në Kajro.

Është paraparë që Konferenca të fillojë me fjalime hyrëse të Fon der Lajenit dhe presidentit egjiptian Abdel Fatah Al-Sisi.

Në Konferencë priten rreth 1.000 pjesëmarrës, përfshirë edhe ministra egjiptianë, përfaqësues të BE-së dhe institucione financiare evropiane dhe drejtorë ekzekutivë nga spektër i gjërë i kompanive nga Unioni dhe Egjipti.

Siç bëri të ditur Komisioni Evropian, kjo Konferencë e Investimeve është rezultati i parë kyç i Partneritetit Strategjik dhe Gjithëpërfshirës midis Egjiptit dhe BE-së, të rënë dakord nga Fon der Lajen dhe Al-Sisi në mars 2024. Partneriteti mbulon marrëdhëniet politike, stabilitetin ekonomik, investimet dhe tregtinë, migrimin dhe lëvizshmërinë, sigurinë dhe demografinë dhe kapitalin njerëzor.

Konferenca ka për qëllim të promovojë më tej mundësitë e investimeve në sektorët kyç të Egjiptit si energjia e rinovueshme, ekonomia rrethore, farmaceutike, mjekësore dhe automobilistike, bujqësia, prodhimi i ushqimit, furnizimi me ujë, inovacioni dhe digjitalizimi, të cilët kanë potencial për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm dhe diversifikimin ekonomik të vendit.

Në margjinat e Konferencës pritet lidhja e shumë marrëveshjeve për investime mes kompanive evropiane dhe egjiptiane, si dhe marrëveshje dypalëshe për bashkëpunim mes BE-së dhe Egjiptit për nxitjen e punësimit dhe aftësimin profesional, prodhimin e vaksinave, sigurinë e ushqimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm. 

Gjatë qëndrimit në Kajro, Fon der Lajen do të shoqërohet nga nënkryetari ekzekutiv i Komisionit Evropian për Ekonomi në favor të njerëzve Valdis Dombrovskik dhe eurokomisari për Politikë të Fqinjësisë dhe Zgjerimit Oliver Varheji. 

Dombrovskis në emër të BE-së, do të nënshkruajë Memorandumin e Mirëkuptimit me Egjiptin për ndihmë afatshkurtër makro-financiare prej një miliard euro për të mbështetur programin e reformës ekonomike egjiptiane, që synon forcimin e qëndrueshmërisë dhe potencialit të ekonomisë egjiptiane. Ndihma është pjesë e një pako prej 7,4 miliardë eurosh të paralajmëruar nga Fon der Lajen në mars për të mbështetur partneritetin strategjik dhe gjithëpërfshirës me Egjiptin. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR