• e enjte, 26 dhjetor 2024

Fon der Lajen: Muajin e ardhshëm KE-ja do të propozojë ide për funksionimin e BE-së me mbi 30 vende

Fon der Lajen: Muajin e ardhshëm KE-ja do të propozojë ide për funksionimin e BE-së me mbi 30 vende

Bruksel, 17 janar 2024 (MIA) - Në mbledhjen e dhjetorit të Këshillit Evropian konfirmuam përkushtimin tonë kolektiv për një të ardhme në të cilën të gjashtë partnerët nga Ballkani Perëndimor do të jenë pjesë e Unionit tonë, por për mënyrën se si do të funksionojë në praktikë ai Union i mbi 30 vendeve përgjigjen mund ta japim vetëm ne brenda BE-së, porositi sot kryetarja e Komisionit Evropian në fjalimin para deputetëve në Parlamentin Evropian në Strasburg. 

"Kjo Dhomë ka paraqitur tashmë ide të guximshme për reformimin e marrëveshjeve tona. Muajin e ardhshëm, Komisioni do t'i paraqesë idetë tona Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së para diskutimit të liderëve të organizuar nga presidenca belge", tha Fon der Lajen në fjalimin kushtuar rezultateve të Samitit të dhjetorit të BE-së.

Ajo iu referua edhe vendimit të liderëve të BE-së për fillimin e negociatave me Ukrainën, duke theksuar se një vendim i tillë “mbushi me shpresë dhe gëzim zemrat e miliona ukrainasve”, të cilët sipas saj, tregojnë çdo ditë se sa shumë do të thotë Evropa për ta. 

Ajo kujtoi gjithashtu se në Samit është marrë vendim për fillimin e negociatave qasëse me Moldavinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, kur të plotësohen kriteret e nevojshme, ndërsa Gjeorgjisë iu dha statusi i kandidatit.

Kryetarja e KE-së theksoi se Këshilli i fundit Evropian tregoi vullnetin politik të BE-së që të dalë në mbrojtje për Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme, por një vendim i tillë do të duhet të mbështetet nga financimi adekuat, i qëndrueshëm dhe domethënës për katër vitet e ardhshme që të mbështetet funksionimi i përditshëm i shtetit, për të stabilizuar ekonominë e saj dhe për ta afruar atë me Unionin.

Kryetarja e KE-së iu referua edhe situatës me migracionin, duke theksuar se pas gati dhjetë vitesh diskutime dhe ndarje, më në fund u arrit marrëveshje për paktin e ri për migracionin dhe azilin dhe u bëri thirrje eurodeputetëve që ta miratojnë atë para përfundimit të mandatit të tij aktual. 

Fon der Lajen theksoi se leksioni më i madh i nxjerrë në katër vitet e fundit është se Evropa është e fortë vetëm kur është e bashkuar, kështu që në kushtet kur bota është në një epokë konflikti, konfrontimi, fragmentimi dhe frike, BE-ja do të jetë në gjendje të përballet me këto sfida të vështira vetëm nëse është unike. qa/

Foto: EBS

 

QËNDRONI TË LIDHUR