• e enjte, 26 dhjetor 2024

Fon der Lajen: Me krijimin e partneriteteve të fuqishme dhe të qëndrueshme, sfidat t’i shndërrojmë në mundësi

Fon der Lajen: Me krijimin e partneriteteve të fuqishme dhe të qëndrueshme, sfidat t’i shndërrojmë në mundësi

Bruksel, 24 korrik 2023 (MIA) - Po përballemi me shumë sfida, por mund t'i shndërrojmë në mundësi dhe këtë do ta bëjmë duke krijuar partneritete të fuqishme dhe të qëndrueshme, deklaroi kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen në fjalimin e saj në Konferencën ndërkombëtare për zhvillim dhe migrim në Romë.

"Po përballemi më këtë në kohë shumë specifike. Po përballemi me një realitet dramatik të ndryshimeve klimatike. Ne duhet të riorientohemi drejt energjisë së pastër dhe teknikave të reja bujqësore. Ne duhet ta trajnojmë fuqinë tonë punëtore për punët e së nesërmes. Sigurisht, ndryshimet klimatike janë sfidë, por sjellin edhe mundësi të mëdha. Njëherësh, duhet ta parandalojmë eksploatimin e njerëzve nga rrjetet kriminale. Duhet të parandalojmë një humbje tragjike të jetëve në Detin Mesdhe", porositi mbrëmë Fon der Lajen në Konferencën e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Italisë dhe Bashkëpunimit ndërkombëtar.

Ajo theksoi se situata të tilla kërkojnë zhvillimin e partneriteteve të reja strategjike dhe gjithëpërfshirëse për zhvillimin ekonomik dhe njerëzor, për tregtinë, investimet dhe menaxhimin e migracionit, bazuar në solidaritetin, sovranitetin dhe përgjegjësinë e përbashkët.

"Prodhimi i energjisë së pastër elektrike në Bashkimin Evropian në rast më të mirë kushton 10 cent për kilovat orë. Në Tunizi mund të kushtojë deri në dy cent. Tunizia ka burimet e nevojshme natyrore të erës dhe diellit. Kjo do të kishte një avantazh të madh konkurrues. Kjo është një situatë klasike uin-uin: Evropa ka interes të investojë në Tunizi dhe Tunizia ka interes të zhvillojë kapacitete për konsum të brendshëm dhe eksport", ka thënë kryetarja e KE-së.

Sipas saj, siç raporton korrespodenti i MIA-s nga Brukseli, BE-ja dëshiron të ndërtojë partneritete edhe me vendet tjera, të gjejë zgjidhje në përputhje me realitetin vendor dhe të bashkëpunojë me biznesin, institucionet financiare dhe investitorët publikë dhe privatë.

"Kjo më çon në mundësinë e dytë të re për bashkëpunim. Bëhet fjalë për njerëzit dhe perspektivën e tyre. Bëhet fjalë për trajnim të fuqisë punëtore për të cilën kanë nevojë ekonomitë e reja dhe ato në zhvillim. Kjo ka si qëllim zhvillimin e aftësive të reja dhe krijimin e mundësive të reja për punë dhe trajnim, veçanërisht për të rinjtë. Këta të rinj duan të jetësojnë ëndrrat e tyre", shton Fon der Lajen.

Sipas saj, me këtë rast nevojitet të forcohet lufta kundër transportit ilegal të emigrantëve, të thyhet biznesi i paligjshëm i kontrabanduesve dhe të rritet ndërgjegjja e njerëzve për gënjeshtrat që ata përhapin.

"Së bashku mund të bashkëpunojmë në kërkim-shpëtim dhe të forcojmë menaxhimin e kufirit. Së bashku mund dhe duhet ta menaxhojmë më mirë migrimin, duke garantuar mbrojtje për ata që kanë nevojë dhe qasje në bashkëpunim për kthimin e atyre që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë dhe duke mbështetur riintegrimin e tyre në shtëpi", ka shtuar Fon der Lajen.

Në fjalimin e hapjes së Konferencës, ku u mblodhën liderët e rreth 20 vendeve, kryeministrja italiane Xhorxha Meloni tha se dëshiron të promovojë një mënyrë të re bashkëpunimi midis vendeve të emigracionit duke ndjekur shembullin e marrëveshjes që Bashkimi Evropian nënshkroi me Tunizinë me qëllim për të parandaluar ardhjen e emigrantëve në kontinentin e vjetër.

Në konferencë u vendosën udhëzime për krijimin e një fondi për financimin e projekteve investive dhe kontrollit kufitar, me qëllim rregullimin sa më të mirë të flukseve migruese për të cilin, siç bëri të ditur Meloni, do të mblidhen mjete në një konferencë donatorësh, data e së cilës ende nuk është përcaktuar, por tashmë është paralajmëruar mbështetje nga Emiratet e Bashkuara Arabe me rreth 100 milionë euro.

Në Konferencë, përveç Melonit dhe Fon der Lajen, morën pjesë edhe kryetari i Këshillit Evropian, Sharl Mishel, liderë të vendeve të rajonit të Mesdheut, si dhe përfaqësues të KB-së dhe institucioneve financiare ndërkombëtare.

Foto: Skrinshot

 

QËNDRONI TË LIDHUR