• e martë, 13 gusht 2024

FMN: Ekonomitë aziatike kryesojnë në rritjen ekonomike globale

FMN: Ekonomitë aziatike kryesojnë në rritjen ekonomike globale

Nju Jork, 3 gusht 2024 (MIA) - Sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), ekonomia globale është në rritje të vazhdueshme. Produkti i brendshëm bruto global (PBB) pritet të rritet për 3,2 për qind këtë vit dhe 3,3 për qind vitin e ardhshëm.

Ekonomitë aziatike në zhvillim janë shtytësit kryesorë të rritjes ekonomike globale. Vitin e kaluar, ekonomia e Indisë u rrit për 8,2 për qind, ndërsa ekonomia e Kinës u rrit për 5,2 për qind. Gjysma e rritjes totale globale është arritur në këto dy vende. Megjithatë, ka mundësi që ky trend të mos vazhdojë, veçanërisht kur bëhet fjalë për Kinën.

Sipas të dhënave të fundit të FMN-së, pritet që rritja e Kinës të dobësohet në pesë vitet e ardhshme, pra që deri në vitin 2029 të ulet pët 3,3 për qind. Nga ana tjetër, rritja e SHBA-së prej 2,6 për qind këtë vit pritet të mbetet relativisht e qëndrueshme, me një projeksion që vitin e ardhshëm do të jetë pak më i ulët, përkatësisht 1,9 për qind.

Normat e rritjes midis vendeve të zhvilluara po bëhen më të barabarta, ndërsa FMN përmend ngushtimin e hendekut të prodhimit midis këtyre vendeve si një faktor kryesor.

Sipas vlerësimit të gazetës britanike “The Economist”, rritja globale në pesë vitet e ardhshme do të nxitet nga transformimi teknologjik, zhvillimi i inteligjencës artificiale dhe tranzicioni i energjisë. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

QËNDRONI TË LIDHUR