• e shtunë, 06 dhjetor 2025

Fjalimi i parë i papës Leoni i Katërmbëdhjetë: Zoti na do të gjithëve, pa kushte

Fjalimi i parë i papës Leoni i Katërmbëdhjetë: Zoti na do të gjithëve, pa kushte

Vatikan, 8 maj 2025 (MIA) – Kreu i ri i Kishës Katolike, papa Leoni XIV, sonte u paraqit në ballkonin kryesor të bazilikës “Shën Pjetri” dhe para dhjetëra mijëra besimtarëve të mbledhur e mbajti fjalimin e tij të parë pas zgjedhjes. 

"Paqja qoftë me ju të gjithë", ishin fjalët e para të papës 69-vjeçar të lindur në Çikago, i cili foli në gjuhën italiane. "Vëllezër dhe motra, kjo është përshëndetja e parë e Krishtit të ringjallur. Dua t'ju përcjell një përshëndetje paqeje që arrin në familjet tuaja, tek të gjithë ju, kudo që të jeni. Paqja qoftë me ju", tha ai, duke shkaktuar duartrokitje të forta dhe britma gëzimi nga turma.

Papa Leoni XIV e vazhdoi porosinë e tij me thirrje për dashuri dhe unitet, duke theksuar “Zoti na do të gjithëve, pa kushte”. Ai nderoi paraardhësin e tij, papa Françeskun, dhe shprehu dëshirë që ta ndjekë shembullin e tij, duke u dhënë bekim besimtarëve në sheshin “Shën Pjetri”. 

“Njerëzimit i duhet Krishti si urë deri te Zoti dhe dashuria e tij. Na ndihmoni, dhe ta ndihmojmë njëri – tjetrin, të ndërtojmë ura”, porositi papa i ri. 

Ai i falënderoi kardinalët që e zgjodhën në konklavën dyditore dhe i dërgoi përshëndetje të veçantë Kishës në Romë.

Në gjuhën spanjolle, Leoni XIV i drejtua edhe ish dioqezës së tij në Peru, ku, siç tha, "populli besnik ndau besimin e tij dhe dha shumë."

Në fund të fjalimit, Papa u bëri thirrje besimtarëve t’i luten së bashku Virgjëreshës Mari, pas çka sheshi u mbush përsëri me entuziazëm. Ai lexoi një fragment nga tekstet e shenjta në latinisht në nder të shenjtorëve dhe Virgjëreshës Mari, dhe pastaj e bekoi edhe një herë turmën. Ndërsa orkestra e karabinierëve luante në prapavijë, Papa Leoni XIV i përshëndeti me dorë turmën që mbushte sheshin, ku festimi vazhdoi. fc/

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR