• e shtunë, 06 dhjetor 2025

Fillon zbatimi gradual i Sistemit të hyrjes/daljes në zonën e Shengenit

Fillon zbatimi gradual i Sistemit të hyrjes/daljes në zonën e Shengenit

Bruksel, 12 tetor 2025 (MIA) - Duke filluar nga sot, 29 shtete anëtare të Zonës së Shengenit do të fillojnë implementimin gradual të Sistemit të ri dixhital të hyrjes/daljes (EES) në pikat kufitare në kufijtë e tyre të jashtëm.

Me hyrjen në fuqi të sistemit EES, shtetet anëtare të zonës së Shengenit do të fillojnë regjistrimin elektronik të të dhënave të shtetasve të vendeve të treta jo-anëtare të BE-së, përfshirë qytetarët e Maqedonisë, kur ata kalojnë kufijtë e jashtëm të Shengenit për qëndrime deri në 90 ditë. Zbatimi i sistemit në të gjitha kalimet tokësore, aeroportet dhe portet duhet të përfundojë brenda një periudhe prej gjashtë muajsh.

Gjatë periudhës së futjes graduale të EES-së, shtetet anëtare të Shengenit mund të vendosin në mënyrë të pavarur se në cilat pika kalimi kufitar do ta zbatojnë sistemin dhe kur. Qëllimi i kësaj qasjeje është t'u lejojë autoriteteve kufitare, industrisë së transportit dhe pasagjerëve të përshtaten me procedurat e reja.

Pas skadimit të gjashtë muajve, pra nga 10 prilli 2026, sistemi EES do të duhet të aplikohet në të gjitha pikat kufitare, dhe procedura e vulosjes së pasaportave do të zëvendësohet nga të dhënat elektronike në sistem. Gjatë periudhës gjashtëmujore të tranzicionit të EES-së, praktika e vulosjes së pasaportave do të vazhdojë.

Sistemi EES pritet të ofrojë të dhëna të besueshme për autoritetet kufitare, të cilat do t'i mundësojnë atyre të zbulojnë në mënyrë sistematike personat që tejkalojnë afatin e qëndrimit, si dhe rastet e mashtrimit me dokumentet e udhëtimit dhe identitetin.

Sipas Komisionit Evropian, automatizimi i plotë i kontrolleve kufitare do të sigurojë kalime kufitare më të lehta dhe më të sigurta për të gjithë.

Sistemi i ri do të regjistrojë të dhënat e pasaportave të qytetarëve nga vendet që nuk janë anëtare të BE-së, do t'u fotografohen fytyrat dhe do t'u merren gjurmët e gishtave në kalimin e tyre të parë kufitar pas zbatimit të EES. Në çdo kalim pasues, do të kërkohet vetëm një verifikim i shpejtë i identitetit të tyre përmes sistemit EES.

Sistemi i ri përmbush standardet më të larta të mbrojtjes së të dhënave dhe privatësisë, duke siguruar që të dhënat personale të pasagjerëve të jenë të mbrojtura dhe të sigurta.

Përpara fillimit të zbatimit të sistemit EES, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka rekomanduar që të gjithë qytetarët tanë që planifikojnë të udhëtojnë në një vend të Shengenit nga sot të njihen me rregullat dhe procedurat e reja, në mënyrë që të sigurohen që udhëtimet e tyre të jenë në kohë, të sigurta dhe pa vonesa të panevojshme. sa/

Foto: MIA arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR