• e premte, 27 dhjetor 2024

Fillon procesi i Hagës kundër ish-presidentit të Kosovës, Thaçi

Fillon procesi i Hagës kundër ish-presidentit të Kosovës, Thaçi

Hagë, 3 prill 2023 (MIA) -  Ka filluar në Hagë procesi gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe tre ish zyrtarëve të tjerë të Kosovës, nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, njoftojnë se sot do të hapet gjykimi kundër Hashim Thaçi dhe të akuzuarve të tjerë.

“Është planifikuar që deklaratat hyrëse të mbahen më 3, 4 dhe 5 prill, duke filluar prej orës 9:00 të mëngjesit. Seancat gjyqësore mund të përcillen në tri gjuhët e gjykatës, shqipe, serbishte dhe anglishte përmes funksionit të transmetimit në faqen e DHSK-së në internet, me një vonesë 45-minutëshe”, thuhet në komunikatën e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor të vitit 2020 dhe u ndryshua më 3 shtator të vitit 2021, 29 prill 2022, dhe 30 shtator 2022. Versioni me më pak redaktime i Aktakuzës u dorëzua më 27 shkurt 2023. Kjo është aktualisht aktakuza në fuqi në këtë çështje gjyqësore.

Sipas njoftimit në Aktakuzë parashtrohet se krimet për të cilat janë ngritur akuzat u kryen së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 dhe ndodhën në disa vende në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë e Veriut.

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-ës, ka shprehur shqetësimin lidhur me kohëzgjatjen e prokurorisë, e cila ka paraparë 700 orë për çështjen e saj.

Nga mbrojtësit gjatë procesit përgatitor janë dëgjuar edhe ankesa se prokuroria nuk ka paraqitur asnjë argument për trafikim organesh të serbëve, që ishte edhe një nga argumentet për themelimin e Gjykatës.

Kjo Gjykatë është themeluar pas pohimeve në raportin e ish-eurodeputetit nga Zvicra, Dik Marti, se pjesëtarët e UÇK dhe krerët e ish-UÇK janë të përfshirë në trafikim organesh të serbëve. Në aktakuzën ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit nuk ka asnjë akuzë për trafikim organesh, ndërsa Marti vitin e kaluar pohonte se "është i rrezikuar nga vrasja e mundshme e shërbimeve serbe". mb/

 

QËNDRONI TË LIDHUR