• e enjte, 26 dhjetor 2024

Feng: Kina do të pengojë vizitën e paralajmëruar të zëvendëspresidentit të Tajvanit në SHBA

Feng: Kina do të pengojë vizitën e paralajmëruar të zëvendëspresidentit të Tajvanit në SHBA

Pekin, 20 korrik 2023 (MIA) - Prioriteti i Kinës është të parandalojë vizitën e paralajmëruar të Zëvendëspresidentit të Tajvanit dhe kandidatit presidencial Uilliam Lai në Shtetet e Bashkuara të Amerikës muajin e ardhshëm, tha ambasadori kinez në Uashington, Shi Feng.

Ambasadori kinez përsëriti dje se Kina dëshiron një ribashkim paqësor me Tajvanin, por se "separatistët" tajvanezë vazhdojnë të kërkojnë mbështetje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

"Ata madje nuk e pranojnë as që janë kinezë. Pra, kjo është një rrugë shumë e rrezikshme që ata po ndjekin", tha Feng.

Lai është planifikuar të vizitojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës muajin e ardhshëm, rrugës për në Paraguaj, ku do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri dhe më pas në kthimin e tij nga ky vend i Amerikës Latine.

Në Tajvan, zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare do të mbahen në janar dhe Lai do të jetë kandidati presidencial i Partisë Demokratike Progresive (DPP) në pushtet, dhe sipas shumicës së sondazheve, ai është favorit, raportojnë mediat britanike.

Në gusht të vitit të kaluar, kryetarja e atëhershme e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nensi Pelosi, vizitoi Tajvanin, ndërsa në prill të këtij viti, presidentja aktuale e Tajvanit, Cai Ing-ven, qëndroi në SHBA për një kohë të shkurtër, kur u takua në Los Anxhelos me kryetarin aktual të Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin Mekarti gjatë kthimit nga një vizitë në Amerikën Qendrore. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR