• e enjte, 26 dhjetor 2024

FBI-ja kryen bastisje në shtëpinë e ish-zëvendëspresidentit Majk Pens

FBI-ja kryen bastisje në shtëpinë e ish-zëvendëspresidentit Majk Pens

Uashington, 10 shkurt 2023 (MIA) -  FBI-ja aktualisht është duke kryer bastisje në shtëpinë e ish-zëvendëspresidentit Majk Pens në Indiana, pasi ekipi i tij ligjor njoftoi Arkivin Kombëtar se në shtëpi iu gjetën 12 dokumente të klasifikuara, deklaroi për Si-En-En një burim i njohur me situatën.

Pens momentalisht është në bregun perëndimor me familjen e tij pasi vajza e tij lindi, njofton zëdhënësi i tij. Avokati privat i Pens është në shtëpinë e Indianës ndërsa kërkimi është duke u zhvilluar, shtoi zëdhënësi.

FBI-ja gjithashtu pritet të bastisë zyrën e Pensit në Uashington gjatë ditëve në vijim, deklaruan burimet për Si-En-En.

Pens u thirr dje nga këshilltari special Xhek Smith, i cili po heton ish-presidentin Donald Tramp dhe rolin e tij në trazirat e 6 janarit të vitit 2021.

Bastisja vjen pasi FBI-ja dhe Divizioni i sigurisë kombëtare i Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së nisën një shqyrtim të dokumenteve dhe se si përfunduan në shtëpinë e Pensit. Nuk është ende e qartë se me çfarë lidhen dokumentet apo niveli i tyre i ndjeshmërisë apo klasifikimit.

Ekipi i Pensit, në bisedimet me Departamentin e Drejtësisë përpara bastisjes shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar plotësisht. Ekipi i tij nuk beson se ka dokumente të klasifikuara as në shtëpinë e as në zyrën e tij, sepse ata vetë kanë kryer atë që ata besojnë se është një kontroll i gjerë, tha burimi.

Pens ka pranuar më parë se "kanë bërë gabime" dhe ka marrë përgjegjësinë për dokumentet e klasifikuara që përfunduan në shtëpinë e tij dhe është zotuar të "bashkëpunojë plotësisht" me çdo hetim të FBI-së. Ai tha se dokumentet e gjetura u vendosën "menjëherë" në ruajtje dhe u njoftua Arkivi Kombëtar. qa/shk/

 

QËNDRONI TË LIDHUR